Për të pestën ndeshje me radhë ishte në tribunë. Për të dytën gherë radhazi skuadra e tij nuk e mori fitoren, madje këtë herë humbi. E tillë situata e Mario Mitajt në Arabinë Saudite, dhe e ekipit kampion të vendit, Al Itihad.
Në një nga të papriturat më të mëdha të sezonit, Al Etifak mposhti favoritët me një gol të vetëm dhe kundër rrjedhës së lojës, ndërsa trajneri Serzhio Konseisao dhe drejtuesit e klubit duket se kanë ndarë mendjen. Mitaj lihet qëllimisht jashtë ekipi për 4 ndeshje njëra pas tjetrës, ndërsa më herët ishte I pezulluar.
Lajmet janë se për mbrojtësin kuqezi ka interesim nga Europa, nga Spanja, Anglia po Italia, ndërsa së fundmi njoftohet se një klub ka ofruar 5 milionë euro për kartonin e tij.
Al Itihad shpenzoi 4 milionë euro kur e mori nga Lokomotiva e Moskës. Gjithsesi, duket se jo gjithçka është vendosur.
Mbrojtësi portugez I Lacios, Nunjo Tavaresh, duket se nuk do të vijë në Arabinë Saudite, pasi Beshiktashi është shumë më pranë, madje dhe Dortmundi ka shprehur dëshirë për të.
Mbetet të shihet nëse Mitaj do të sakrifikohet apo do të kthehet në ekip, por kryesorja është që gjendja të sqarohet dhe ai të luajë, pasi do të ishte minus I madh nëse nuk do të ishte në fushë, ndërsa afrojnë ndeshjet e kombëtares në plej ofin e Kupës së Botës.


