Gasperini sfidon Real Madrid: Duam të fitojmë Superkupën e Europës

schedule14:31 - 3 Qershor, 2024

schedule 14:31 - 3 Qershor, 2024

Pas mbylljes së sezonit në vend të katërt të renditje ose thënë ndryshe në zonën Champions, trajneri i Atalanta-s, Gian Piero Gasperini ka dhënë një intervistë për mediet italiane, ku ka folur për rrugëtimin në këtë edicion, por edhe për qëllimet e mëtejshme.

Si fillim ai theksoi se ky ishte një sezon shumë i mirë, ndërsa keqardhja e vetme për momentin është dëmtimi i Scalvini-t përpara EURO 2024.

“Ishte një sezon i mrekullueshëm. Dje keqardhja më e madhe ishte dëmtimi i Scalvinit pak minuta nga fundi, një dëmtim i gjatë dhe i keq që do ta detyrojë atë të humbasë Kampionatin Evropian dhe një pjesë të mirë të sezonit të ardhshëm, por Giorgio është i ri, i fortë, ai do të dalë nga kjo përvojë edhe më i fortë dhe më i vendosur. Sa u përket objektivit, ia dolëm të siguronim Champions League-n. Kemi një lumturi dhe krenari të pabesueshme për këtë edicion”-tha fillimisht italiani.

Më tej, trajneri i “zikaltërve” të Bergamos theksoi se ëndrra e radhës, pas fitores së Europa League është Superkupa e Europës ndaj Real Madrid-it.

“Është ëndrra jonë e radhës. Që kur patëm këtë mundësi, pa i hequr asgjë Borussia Dortmund-it, shpresa ishte të takoheshim me Real Madrid-in për një çështje prestigji. Reali është skuadra më e famshme në botë. Do të konkurrojmë me ta për një Superkupë dhe është diçka prestigjioze për Atalanta-n dhe për të gjithë Bergamon. As Liverpool dhe as Bayer Leverkusen nuk u dukën kundërshtar të lehtë apo që Atalanta mund t’i mposhte, por ndodhi dhe në ndeshjet finale gjithçka mund të ndodhë”, deklaroi ndër të tjera Gasperini./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!