Atalanta u eliminua nga Real Madrid në Champions League dhe trajneri Gan Piero Gasperini tregoi pas ndeshjes pengjet e mëdha, që lihen me gabimet e skuadrës së tij. Tekniku italian theksoi se nuk do të ndryshonte asnjë nga zgjedhjet e bëra para ndeshjes. Për “Sky Sport Italia” ai u shpreh:
“Pa asnjë diskutim do të kisha bërë të njëjtat zgjedhje. Goli i parë, penallti dhe madje edhe goli në ndeshjen e parë e komprometuan kualifikimin, që gjithsesi do të ishte i vështirë. Kur dhuroni gola të tilla normalisht që bëhet akoma edhe më e vështirë. Është për të ardhur keq, pasi menduam se mund të bënim më mirë.
Ndeshja mori rrjedhë të gabuar dhe ishte pjesërisht faji ynë, ndaj u bë shumë e vështirë. Këto përvoja janë gjithnjë fantastike për lojtarët, trajnerin dhe klubin, pasi përballemi me më të mirët në nivel ndërkombëtar. Duhet të jemi të kënaqur, pasi eliminuam një skuadër si Ajax dhe kaluam në një grup me Liverpool. Shpresonim që mund të bënim më mirë në të dyja ndeshjet kundër Real Madrid”, tha Gasperini.
Më tej ai shtoi: “Keqardhja më e madhe është për shkak të mënyrës se si i kemi pësuar golat. Nuk bëmë lojën që donim, nuk pasuam mirë dhe pasimet janë gjuha e futbollit. Nëse nuk e lëviz mirë topin, nuk komunikon. Kemi humbur shumë mundësi për të krijuar raste dhe për ta luajtur topin më mirë.
Pa dyshim në Champions përballemi me ekipe dhe lojtarë që mund ta lëvizin topin më shpejt se sa jemi mësuar, çka na shtyn edhe të bëjmë gabime. Mungesa e saktësisë dhe gabimet teknike janë pengjet më të mëdha pas kësaj ndeshjeje”. Tashmë Atalanta do të fokusohet në kampionat, për të siguruar sërish pjesëmarrjen në Champions League. /abcnews.al