Gashi: Nuk kam marrë kërkesë me shkrim nga Specialja, as në dasmë nuk shkoj pa ftesë

schedule19:40 - 30 Shtator, 2020

schedule 19:40 - 30 Shtator, 2020

Avokati Tomë Gashi është shprehur se nuk ka pranuar ftesë me shkrim nga Prokuroria Speciale në Hagë dhe se refuzon të shkojë kudo që ftohet pa pasur një ftesë zyrtare.

Gashi thotë se është ftuar nga një person i panjohur i prezantuar si hetues nga Prokuroria Speciale, por nuk ka marrë ftesë me shkrim.

“Unë kam pranuar thirrje telefonike nga një person dhe numër i pa njohur i cili është prezantuar si hetues nga Prokuroria Speciale. Nuk kam marr ftesë me shkrim. Ai ka kërkuar që unë të shkoj së bashku me Faton Klinakun në zyrat e Eulex-it në Fushë Kosovë aty ku janë intervistuar pjestarët e UÇK-së. Unë kam refuzuar të shkoj te ata dhe posaçërisht që të shkoj me zotin Faton Klinaku pa ftesë të shkruar”, shkruan në një postim Gashi.

 

Avokati sqaron se edhe në të kaluarën ka refuzuar t’u përgjigjet thirrjeve të bëra mes rrjeteve sociale nga kjo gjykatë, duke u shprehur se pa ftesë nuk shkohet as në dasmë.

“Si tani edhe në të kaluarën kam refuzuar thirrje nga Gjykata Speciale përmes: viber, whatsaap apo çfarëdo rrjeti social kur kanë bërë ftesa për klientët e mi. Nuk ka praktika juridike ne bote qe ftohen në gjykata pa ftesa. As në dasmë nuk shkon njeri pa ftesë”, shprehet Gashi.

Kujtojmë se policia e Prokurorisë Speciale në Hagë ka kërkuar nga avokati Tomë Gashi dhe sekretari i OVL-UÇK-së Faton Klinaku të paraqiten në policinë e EULEX-it në Fushë Kosovë./abcnews.al/