Nga Mentor Kikia
Mesaduket Sali Berisha do të jetë i vetëm në garën për kreun e Partisë Demokratike. Ata që kishin deklaruar më herët se do të jenë pjesë e këtij procesi, duke kandiduar, janë tërhequr, me pretendimin se gara nuk është e drejtë, apo se është e kotë të marrësh pjesë, pasi Berisha e ka të sigurtë fitoren.
Padyshim, Berisha e ka të sigurtë se do ta marrë besimin e anëtarëve të PD që i janë bashkuar nismës së rithemelimit. Sepse ata iu bashkuan atij në ditët e organizimit të foltores dhe e ndoqën në të gjithë rrugëtimin që çoi në në ato ngjarje që tashmë i dimë të gjithë.
Por, a është arsye të mos hysh në një garë meqë kundërshtari e ka të sigurtë se fiton? Nëse nisesh nga llogari mateatikore, mund të themi se po. Sepse politika nuk është një ndeshje futbolli apo një garë me makina, ku vlen edhe edhe vendi i dytë dhe i tretë, apo edhe vetëm pjesëmarrja. Megjithatë edhe në politikë vlen edhe pjesëmarrja, kur humbjen e ke të sigurtë.
Problemi më i madh i partive në Shqipëri është sepse nuk ka kandidatë për të zëvendësuar kryetarët. Dhe se të rinjtë, ose emërohen nga të të vjetërit, siç bëri Berisha më Bashën, ose ata e marrin partinë përmes “grushti të shtetit” atëvrasës, siç bëri Rama me Nanon. Në partitë tona ka munguar gara demokratike, ka munguar kultivimi i klasave të politikanëve të rinj, të cilët mund të rriten dhe të piqen politikisht si liderë të ardhëshëm.
Përse ka ndodhur kjo? Sepse kryetarët nuk kanë lejuar garë. Sepse kryetarët kanë drejtuar e drejtojnë me dorë të hekurt dhe askush nuk mendon të garojë përballë tyre. Sepse, edhe atëherë kur ka një garë, serish të rinjtë nuk futen në të sepse e kanë të sigurtë humbjen.
Por kjo nuk mjafton për tu tërhequr.
Edhe pse mund ta keni të sigurtë humbjen përballë Berishës, sërish duhet të garoni, sepse kjo është mënyra e vetme për tu rritur politikisht. Kjo është mënyra e vetme për të provuar veten. Çdo kush nga kandidatët e përfolur mund të futet në garë me Berishën, jo për të plotësuar një numër që zgjedhjet të konsiderohen moralisht legjitime, por për të konkurruar seriozisht dhe denjësisht, me një ide dhe platformë politike për të ardhmen e opozitës. Nëse kjo garë do të konsiderohet një ndeshje boksi, atëherë të mundesh nga një kampion i peshave të rënda është në mënyrë e mirë promovimi.
Çfarë do të prisni? Që Berisha të dorëzohet fizikisht dhe të shkojë tek noteri të firmosë një deklaratë se kujt ia lë partinë trashëgim?
Që jeta të bëjë të sajën dhe pasi të përcillni Berishën të suleni të gjithë me bindjen se ju takon vendi i kryetarit?
Kryetarët tradicionalë të partive në Shqipëri kanë punuar fort që të mos lejojnë rritjen e filizave të rinj nën hijen e rëndë të tyre. Por kjo është ndihmuar edhe nga një lloj ndjesie frike apo ngurrimi që më të rinjtë të konkurrojnë përballë të vjetërve, apo makar edhe vetëm sa të mendojnë se mund të jenë rivalë të tyre. Pikërisht kjo frymë dhe ky mentalitet ka ndikuar dhe kontribuar për të krijuar një mjedis thellësisht patriarkal dhe autoritarist. Ka krijuar një shterpësi të frikshme në prodhimin e gjeneratave të reja politike. Kjo frymë dhe ky mentalitet ka bërë që të rinjtë në moshë, në vend të kurajos dhe energjive, të jenë të mbushur me ndjesinë e servilizmit ndaj liderit dhe përulësinë para tij, si njeriu i vetëm që “i dërguari” ka sjellë për të drejtuar partinë.
Ja pse të garosh sot përballë Berishës është po kaq e rëndësishme për demokratët sa edhe vetë ajo që ata bënë deri tani për ta mëkëmbur partinë e tyre. Ai që do të futet në një garë serioze, pavarësisht se do të humbë, do të të ketë të drejtën morale më shumë se çdo kush tjetër më pas për ta vazhduar ambicien, për të ngjitur në karrigen e kryetarit.
Nëse sot do ta lini Berishën vetëm, me argumentin se ai e ka të sigurtë fitoren, nesër do të vazhdoni të keni frikë edhe nga silueta e tij, nga hija e tij në një karrige të mbetur bosh.