Garet Bejl u shpreh i lumtur për 3 golat e tij, që kualifikuan Realin në finalen e Kupës së Botës për klubet. Ylli nga Uellsi luajti edhe pse ishte ende i dëmtuar.
Ka të drejtë trajneri i tij. Futbolli luhet për golin dhe Garet Bejl është një lojtar që golin e ka pjesë të tijën. Ish-rekordmeni i transferimeve i vërtetoi fjalët e Santiago Solarit me një tregolësh ndaj Kashima Antlersit, dhe Reali u kualifikua në finalen e Kupës së Botës për klubet. Dueli në stadiumin e shkëlqyer të Emirateve të Bashkuara Arabe u vendos pikërisht nga rrjetat e Bejlit, një lojtari që nuk e ka problem të luajë futboll, por që është ndaluar tepër shpesh nga dëmtimet.
“Ende ndjeja dhimbje në kavilje, por doja të luaja dhe të jepja maksimumin për skuadrën, – tha ai pas ndeshjes, – më vjen mirë që ia dola. Unë nuk luaj për t’u dhënë përgjigje kritikëve, thjesht luaj futboll. Nuk ka rëndësi pozicioni, unë luaj ku të mendojë trajneri. Ishte ndeshje e vështirë, por ia dolëm”. Bejl shënoi në minutat 44, 53 e 55, pra brenda vetëm 11 minutave loje efektive, edhe kjo diçka e veçantë.
Lojtari i krahut ndihmoi madrilenët pas një pjese të parë të vështirë, ku Kashima Antlers, kampione e Azisë. Japonezët dhanë maksimumin, por si shpesh herë, u dorëzuan përballë talentit dhe përvojës më të madhe të kundërshtarëve. Vetë Bejl arriti në 6 gola në fazën finale të Kupës së Botës për klubet, dhe do të synojë që të barazojë ose të kalojë rekordin e Kristiano Ronaldos, me shtatë. Reali do të luajë të shtunën ndaj Al Ainit të Emirateve të Bashkuara Arabe, me synim për ta fituar trofeun për herë të tretë radhazi./abcnews.al