Mali i Zi është duke rritur gradualisht buxhetin e tij për nevojat ushtarake ndërkohë që ka nënshkruar që nga anëtarësimi në NATO, dy kontrata të mëdha për blerjen e armëve. Nga ana tjetër, Serbia vazhdon të armatoset me armatim modern rus.
Gjatë vizitës së fundit të ministrit të Jashtëm amerikan Mike Pompeo në Podgoricë është nënshkruar një marrëveshje me Malin e Zi për blerjen e 67 automjeteve të blinduara amerikane, në vlerë prej rreth 36 milionë dollarësh. Kjo është blerja e parë e automjeteve të këtilla për nevojat e Ushtrisë malazeze në 40 vitet e fundit. Bëhet fjalë për “hamerat” e kompanisë së njohur amerikane “Oshkosh”. Kontigjenti i parë vjen vitin e ardhshëm dhe Mali i Zi do të jetë vendi i parë evropian, i cili do të ketë në dispozicion automjete të këtilla.
“Këto automjete paraqesin një përparim të madh në modernizimin e Ushtrisë malazeze. Forcat tona këmbësore do të arrijnë me këto automjete nivelin e domosdoshëm përgatitor për stërvitje, lëvizje, mbrojtje. Këto përgatitje janë në harmoni me përgatitjen e forcave tjera të NATO-s“, i thanë Deutsche Ëelles përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes të Malit të Zi.
Kjo është porosia e dytë e madhe e Malit të Zi prej futjes së këtij vendi në NATO. Mali i Zi ka blerë vitin e kaluar nga Kanadaja tre helikopterë, në vlerë prej 30 milionë dollarësh. Blerje të tilla kanë qenë të paimagjinueshme për Malin e Zi më parë.
Që nga anëtarësimi në NATO, Mali i Zi ka ndarë vitin e kaluar 20 milionë euro për buxhetin e mbrojtjes, ndërsa vitin që vjen do të ndajë edhe 46 milionë të tjera. Po kështu, dy vitet e fundit kanë marrë donacione të shumta nga SHBA, në fushën e komunikimit por edhe mjekësisë. Ndërsa Gjermania i ka dhënë Malit të Zi gjashtë automjete të blinduara për patrullime, të tipit Mercedes Benz. Donacioni më i madh do të vijë më vonë – një radar i kalibrit të madh, me të cilin Mali i Zi mund të vëzhgojë hapësirën e vet ajrore. Për momentin hapësira ajrore e Malit të Zi kontrollohet nga avionët e vendeve anëtareve të NATO-s: Italisë dhe Greqisë. Mali i Zi pret që ky radar të instalohet deri në vitin 2021. Amerikanët jo vetëm që u shesin armë partnerëve të tyre në Ballkan, por u japin edhe donacione. SHBA ka ndarë ndihma për katër vende të Ballkanit Perëndimor në vlerë prej 110 milionë dollarësh për ushtritë e Kroacisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë-Hercegovinës dhe Shqipërisë.
Paratë e ndara nga buxheti malazez janë megjithatë shumë të pakta në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Mediat dhe analistët thonë, se gara kryesore në armatime po zhvillohet mes Serbisë dhe Kroacisë, të cilat investojnë me qindra milionë euro për nevojat ushtarake. Serbia ka marrë ndihma ushtarake edhe nga Rusia. Rusia pritet t’i dorëzojë Serbisë një sistem të sofistikuar raketash kundër ajrore, ndonëse Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar sanksione të mundshme kundër vendit ballkanik në rast se blen raketa të tilla. Sistemi raketor Pancir do të dërgohet në Serbi gjatë muajve të ardhshëm ndërkohë që Rusia ka ndihmuar Serbinë të përmirësojë ushtrinë e saj me avionë, helikopterë dhe tanke. Muajin e kaluar Rusia dërgoi në Serbi sistemet raketore Pancir dhe S-400 që u përdorën në stërvitjet ushtarake serbo-ruse. /abcnews.al