Gara për kreun e SPAK, kandidati Xholi: Drejtuesi duhet të ketë në vëmendje hetimet për zyrtarët e lartë dhe krimin e organizuar

schedule10:17 - 16 Dhjetor, 2022

schedule 10:17 - 16 Dhjetor, 2022

Këshilli i Lartë i prokurorisë ka nisur seancën për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK.  Tre kandidatët në garë janë Edvin Kondili, Adnan Xholi dhe Altin Dumani.

Kandidati Adnan Xholi deklaroi se kjo prokurori është bërë efektive dhe është e konsoliduar falë punës së palodhur dhe ndihmës së ndërkombëtarëve. Ai theksoi se nuk ka asnjë konflikt interesi me anëtarët e KLP.

Xholi: Plotësoj kriteret e KLP për tu ngritur në detyrën e drejtuesit, me bindjen se kam aftësinë për të drejtuar SPAK. Nuk kam asnjë konflikt interesi me ndonjë nga anëtarët e KLP.

Gjatë fjalës së tij, Xholi tha se duhet të kemi hetime konkrete dhe rezultate të shpejta duke u bazuar gjithmonë në prova për tu përballur me publikun.

Xholi: Kam mbi 24 vite eksperiencë, karriera ka pasur rritje të vazhdueshme. E kam nisur nga roli bazë deri në ngjitjen e shkallëve të karrierës. Drejtuesi duhet të ketë në vëmendje hetimet për zyrtarët e lartë dhe krimin e organizuar. Përveç kësaj drejtuesi duhet të jetë pjesë e grupit të hetimit. Drejtuesi duhet të japë kontributin e tij edhe në Gjykatën e Lartë sa i takon vendimeve unifikuese. Drejtuesi ka rolin që tërheq të gjithë trupën në një betejë. Çdo lloj prokurori i Prokurorisë së Posaçme duke respektuar ligjin dhe Kushtetutën do ketë mbështetjen time. Unë do vë në dispozicion të gjithë bagazhin tim dhe eksperiencën drejtuese për mbi 13 vite si drejtues, në hetimin e çështjeve të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sipas Kushtetutës, kreu i SPAK-ut “zgjidhet nga radhët e prokurorëve të kësaj prokurorie me shumicën e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për 3 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje, sipas ligjit”. Arben Kraja, përmes një mesazhi në Twitter i ka uruar sukses 3 kandidatëve duke shtuar se Prokuroria e Posaçme do vazhdojë të përmbushë detyrimet ligjore me efektivitet dhe më të lartë.

/Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!