Galliani merr përforcime nga Milan, te Monza mbërrin Maldini

schedule14:56 - 10 Janar, 2024

schedule 14:56 - 10 Janar, 2024

Që prej ngjitjes për herë të parë, në elitën e futbollit italian, Serie A, në sezonin 2022-2023, skuadra e Monza-s po tregon një formë të jashtëzakonshme, teksa jo pak herë ka arritur të surprizojë skuadrat “elitare” të Italisë, si Inter, Juventus, Milan, Roma, Lazio, Napoli e Fiorentina, duke arritur t’i marrë goxha pikë këtyre të fundit.

Aktualisht, në këtë pikë të sezonit, Monza ndodhet në një pozicion komod, në tabelën e renditjes, së Serie A, teksa ndodhet në vendin e 11-të, me 25 pikë, vetëm 5 pikë larg zonave të Kupës së Evropës dhe mesa duket, ky do të jetë objektivi i CEO-s së klubit, Adriano Galliani, i cili këtë të mërkurë ka prezantuar afrimin më të ri të klubit.

Bëhet fjalë për sulmuesin e talentuar 22-vjeçar, Daniel Maldini, djali i qendërmbrojtësit legjendar, Paolo Maldini, me këtë të fundi, që ka patur marrëdhënie të shkëlqyera, me CEO-n, legjendar, teksa nën drejtimin e tij, te Milan arriti të fitojë një sërë trofeshë, ku ndër të tjera edhe 5 herë “veshëllapushen” e UEFA Champions League.

Maldini i ri është huazuar te Monza, nga “Kuqezinjtë” e Milan deri në fundin e këtij sezoni, ku do të kërkojë më në fund të “shpërthejë”, teksa ende nuk po arrin ta shfaqë potencialin e tij të plotë, gjë të cilën do të përpiqet, kësaj here, ta arrijë te ekipi “satelit” i “Djajve” të Milanos, lëvizje kjo e cila duket se i pëlqen edhe vetë “fantazistit”, të paktën nga fjalët e thëna, pas firmosjes së kontratës, me klubin e tij të ri.

“Këtu ndihem si në shtëpi, jam i lumtur që kam ardhur te Monza. Bisedova edhe me babanë tim, ai më tha se Monza është zgjedhja më e mirë për mua. Galliani ishte vendimtar në kalimin tim këtu. Kam biseduar pak edhe me trajnerin, me të cilin do të kem kohë të njihem më shumë në vazhdim”,- u shpreh sulmuesi i ri italian. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!