Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Gafat e gazetarit gjatë transmetimit të Lojërave Olimpike Dimërore bëhen virale në rrjet

schedule15:57 - 12 Shkurt, 2026

schedule 15:57 - 12 Shkurt, 2026

Gazetarët sportivë të televizionit shtetëror italian Rai kanë shpërthyer në protesta pas një sërë gafash të rënda të bëra gjatë transmetimit të ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina. Shkak i reagimit është komentimi i drejtorit të Rai Sport, Paolo Petrecca, i cili sipas gazetarëve ka dëmtuar rëndë imazhin e televizionit publik dhe profesionalizmin e profesionit.

Gjatë ceremonisë hapëse, Petrecca bëri disa gabime që u vunë re menjëherë nga publiku. Ai i përshëndeti shikuesit nga Stadio Olimpico i Romës, ndërkohë që ceremonia po zhvillohej në stadiumin San Siro në Milano. Më pas, ngatërroi aktoren e njohur italiane Matilda De Angelis me këngëtaren amerikane Mariah Carey dhe presidenten e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Kirsty Coventry, me Laura Mattarella, vajzën e presidentit të Italisë.

Këto gafa u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke u kthyer në objekt talljeje dhe kritikash. Vetë Matilda De Angelis reagoi me ironi, duke thënë: “Mariah Carey dhe unë qenkemi i njëjti person”. Ndërkohë, opozita shfrytëzoi rastin për të sulmuar drejtimin e Rai-t, duke theksuar afërsinë e Petrecca-s me qeverinë e djathtë të kryeministres Giorgia Meloni.



CDR, sindikata e brendshme që përfaqëson gazetarët e Rai-t, njoftoi se do të ndërmarrë masa. Këto përfshijnë mosvendosjen e emrave të gazetarëve në materialet që ata prodhojnë për Lojërat Olimpike, si dhe një grevë tre-ditore pas përfundimit të eventit. Në deklaratën e saj, CDR e cilësoi komentimin si “katastrofik” dhe shtoi se për tre ditë me radhë gazetarët janë ndjerë të turpëruar.

Sipas sindikatës, kjo situatë dëmton jo vetëm reputacionin e Rai-t, por edhe besimin e qytetarëve që paguajnë taksën e televizionit publik, si dhe dinjitetin profesional të gazetarëve. Edhe sindikata kombëtare e gazetarëve të Rai-t, Usigrai, e kritikoi ashpër komentimin, duke e quajtur atë të papërshtatshëm. Ndërkohë, politikanë të opozitës pohuan se ky rast është një tjetër shembull i asaj që ata e quajnë ndikim politik i së djathtës në televizionin shtetëror. Deputeti Sandro Ruotolo nga Partia Demokratike e quajti Rai-n “Tele Meloni”, duke e akuzuar për uzurpim politik dhe amatorizëm. Deri tani, Rai Sport nuk ka dhënë një reagim zyrtar për këtë çështje.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!