Gafa e kryeakademikut, Gjinushi për Piranjat: E çfarë rëndësie ka kjo! Shamku: Përfundon në qesharak

schedule22:43 - 27 Nëntor, 2022

schedule 22:43 - 27 Nëntor, 2022

Në një konferencë të zhvilluar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, kryetari i akademisë Skënder Gjinushi, citoi një gjuhëtar të huaj, Manuel Zrinzo Caruana. Por Gjinushi ka cituar një libër që në fakt nuk ekziston dhe një autor i cili është një personazh i sajuar nga një blog në blogun kolektiv Peizazhet e Fjalës. Gjuhëtarja Ledi Shamku Shkreli, ishte një nga personat që vunë re gafën e Gjinushit.

“Libri “Shteti dhe Drejtshkrimi” është një sajesë e sarkazmës së Gjeto Basharit, i cili e sajon ekzistencën e ketij gja-libri thjesht e vetëm për t’u tallur me hiperkontollin e shtetit në punë të gjuhës, ja si kjo që kërkon të bëjë Shkencizma sërish”, shkroi Ledi Shamku në faqen e saj në Facebook.

Ledi Shamku, në një intervistë për “Piranjat” hodhi akuza të reja ndaj Gjinushit duke thënë se ai mundohet t’i bëjë të gjitha dhe në fund përfundon në qesharak.

Ledi Shamku: Ai nuk kupton, se nuk mund të kuptosh edhe nga gjuhësia dhe nga nanoshkenca, edhe nga Metematika, Covid, Bujqësia, nuk kupton dot nga të gjitha ndryshe do bëhet qesharak siç u bë”

Ndërkohë “Piranjat” morën edhe versionin e Gjinushit, i cili tha se nuk është e një rëndësie të madhe ngatërrimi që bëri.

Skënder Gjinushi: Çfarë fjalimi…Ajo ishte një referencë që ka një problem. Ekziston, është marrë, përgjegjësia është e atij që e ka nxjerrë. Që i besuam dikujt që është serioz dhe del se ka një pasaktësi. E çfarë rëndësie ka? Çfarë vlere ka?”

Skënder Gjinushi: Nuk bëj debat për njerëzit që vetëm shpikin. Nuk kam asgjë për të sqaruar. Me detaje nuk merrem dhe me hollësirat. Shkoni kërkojini diku tjetër.

Ndërkohë polemikat mes Shamkut dhe Gjinushit kanë vijuar. Së fundmi Ledi Shamku ka deklaruar se kreu i Akademisë së Shkencave i ka dërguar ultimatum Akademisë së Shkencave të Kosovës, duke i kërkuar përjashtimin e saj Konferenca Studimore Gjuhësore për Drejtshkrimin. Sipas Shamkut, konferenca ishte planifikuar që në verë dhe emri i saj ishte prezent në listën e pjesëmarrësve, por pas debateve të fundit me kreun e Akademisë së Shkencave, bënë që Gjinushi të kërkonte përjashtimin e saj.

Nga ana e tij Gjinushi i ka mohuar këto akuza.

Skëndet Gjinushi: “Absolutisht jo. As nuk e di se çfarë përfaqëson. Nuk kam aq kohë të merrem me të. Nuk më shqetëson asgjë, ajo kritikon edhe veten.”

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!