Sondazh

Lufta në Iran, a rrezikon të nisë Lufta III Botërore?

Loading ... Loading ...
 

Gabimet në Shëndetësi / Shtëpia e Bardhë i vendos “litarin” Kennedy-t, ai rrezikon postin

schedule21:44 - 15 Mars, 2026

schedule 21:44 - 15 Mars, 2026

Nuk rrezikon ende postin, por pothuajse. Sipas Wall Street Journal, Shtëpia e Bardhë i ka vënë “litarin” sekretarit të Shëndetësisë Robert Kennedy, sepse daljet e tij publike po irritojnë elektoratin në prag të zgjedhjeve të mesmandatit.

Duhet t’i japë fund ‘kryqëzatave‘ kundër vaksinave, më shumë vëmendje ndaj temave si ulja e çmimeve të barnave apo ushqyerja e shëndetshme, duke iu referuar edhe problemit të kostos së jetesës që rrezikon të dëmtojë partinë në pushtet.

Djali i kandidatit presidencial të vrarë në Los Anxhelos, pas një jete të kaluar me demokratët si i ati, gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 vendosi të kthehej kundër traditës familjare. I irrituar nga mungesa e hapësirës, ai kandidoi fillimisht si i pavarur për t’i marrë vota Joe Biden-it, e më pas iu bashkua fushatës së Trump-it. U shpërblye me postin për të drejtuar Shëndetësinë e vendit, një fiksim i tij i hershëm, sidomos për shkak të pakënaqësisë ndaj kompanive farmaceutike dhe prodhuesve të vaksinave, ndjesi e ndarë gjerësisht nga baza e lëvizjes Maga. Për këtë shpiku sloganin paralel Make America Healthy Again, duke nisur “revolucionin” e tij.



Problemi është se jo të gjitha nismat e tij u pritën mirë nga publiku. Kryqëzata kundër vaksinave, në veçanti, nuk është shumë popullore mes shumicës së amerikanëve. Kennedy shtoi edhe gabime politike e menaxheriale, si nënvlerësimi i epidemisë së fruthit në Teksas, apo miratimi nga FDA i një pilule për abortin. Trump e irritoi më tej kur firmosi një dekret ekzekutiv për të favorizuar përdorimin e glifosatit, një pesticid që Robert Kennedy e kishte çuar në gjykatë duke e akuzuar si kancerogjen.

Zëdhënësit e administratës i thanë Wall Street Journal se marrëdhënia e sekretarit me presidentin mbetet e mirë, por nuk ka dyshim që ka pasur një përplasje mes tyre, siç tregojnë disa ndryshime personeli në departament që penalizuan ose larguan njerëz të Kennedy-t për t’i zëvendësuar me figura më pranë Trump-it, si zëvendësi i ri Chris Klomp.

Në rritje është edhe Dr. Mehmet Oz, prezantues televiziv që Trump e ka vendosur në krye të Centers for Medicare and Medicaid Services, dhe shihet si kandidati i parë për të marrë postin e sekretarit, nëse presidenti vendos ta largojë Kennedy-n, siç bëri me Kristi Noem.

Në pritje të një vendimi për Kennedy-n, Shtëpia e Bardhë i ka vënë “litarin”, sipas titullit të Wall Street Journal. Në prag të zgjedhjeve të mesmandatit që do të mbahen në nëntor të këtij viti, ai duhet të shmangë daljet mbi temat më të diskutueshme, duke punuar në ekip mbi ato që pëlqehen nga Trump dhe publiku.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!