Gabim pas gabimi, rrugëtimi mes heroit të pandemisë dhe batakçiut të vaksinës “AstraZeneca”

schedule14:25 - 25 Mars, 2021

schedule 14:25 - 25 Mars, 2021

Nga Julia Horowitz, CNN

Pas bashkëpunimit me Universitetin e Oksfordit, AstraZeneca prodhoi një vaksinë të sigurt dhe efektive kundër Covid-19 në vetëm nëntë muaj, një arritje e madhe që do të ndihmojë në luftën kundër pandemisë.

Por një sërë hapash të gabuar gjatë rrugës kanë çuar në kritika të ashpra nga politikëbërësit dhe zyrtarët shëndetësorë, duke prishur imazhin e kompanisë si një hero i epokës së koronavirusit. Prodhuesi  anglo-suedez gabimisht u dha disa vullnetarëve gjysmën e dozës të vaksinës gjatë provave klinike dhe është kritikuar se ka fshehur informacionet thelbësore në deklaratat publike .

Rregullatorët e SHBA-së kanë vënë në dyshim saktësinë e të dhënave të vaksinave dhe vonesat e mëdha të prodhimit në Europë kanë rezultuar në një stuhi politike dhe një prishje të marrëdhënieve me udhëheqësit e BE-së.

Dështimi i AstraZeneca për të shpërndarë miliona doza të premtuara në Bashkimin Europian e bëri bllokun të vendosë kufizime të eksportit që tashmë kanë parandaluar të paktën një dërgesë vaksinash në Australi, raporton abcnews.al

Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në SHBA shprehu shqetësime në fillim të kësaj jave se AstraZeneca kishte paraqitur të dhëna të mëparshme nga një provë e efektivitetit të vaksinës.

Anthony Fauci, drejtori i agjencisë, e cilësoi atë një gabim që mund të prishë besimin në një “vaksinë efektive”. AstraZeneca azhurnoi të dhënat e saj të enjten, duke raportuar se vaksina e saj ishte 76% efektive në parandalimin e simptomave Covid-19.

Kritikat nga rregullatorët e SHBA-së ishin një goditje e madhe për besueshmërinë e kompanisë.

 

Një hap drejt besimit

Përvoja e vaksinimit të AstraZeneca  ishte e pakët. Në vitet e fundit, ajo gjeneroi një pjesë të madhe të të ardhurave të saj duke prodhuar ilaçe të njohura të kancerit, të tilla si Tagrisso, e cila përdoret për të trajtuar kancerin e mushkërive.

Por kur pandemia u përhap kudo në botë, kompania vendosi të hynte në garë për të zhvilluar një vaksinë  që ndryshonte lojën.

Përpjekjet dhanë rezultat. AstraZeneca mori autorizimin e përdorimit emergjent nga Mbretëria e Bashkuar në fund të dhjetorit dhe Bashkimi Europian një muaj më vonë.

Për shkak se vaksina ishte më e lirë dhe mund të ruhej në temperatura më të larta se ato të zhvilluara nga Pfizer ( PFE ) dhe Moderna ( MRNA ) ,  u pa si një përparim në luftën kundër pandemisë veçanërisht për vendet më pak të pasura që mund të kenë mungesë të rrjeteve të sofistikuara të logjistikës.

AstraZeneca bashkëpunoi me Institutin Serum të Indisë, i cili ra dakord për të prodhuar më shumë se 1 miliard doza për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, raporton abcnews.al

Gabim pas gabimi

Por menjëherë problemet filluan të shfaqeshin. Para se AstraZeneca të merrte miratimin për përdorim emergjent, kompania u përball me pyetje në lidhje me të dhënat nga provat të paraqitura në nëntor.

Vullnetarët morën doza të ndryshme për shkak të një gabimi në prodhim, duke krijuar konfuzion në lidhje me efektivitetin e tij aktual. AstraZeneca nuk përmendi këtë gjë, duke gjeneruar shqetësime në lidhje me mungesën e transparencës.

Në janar, komisioni i vaksinave të Gjermanisë tha se personat mbi 65 vjeç nuk duhej të vaksinoheshin me AstraZeneca. Franca fillimisht kufizoi gjithashtu vaksinat AstraZeneca nën moshën 65 vjeç, raporton abcnews.al

 

Në një intervistë në janar, CEO Pascal Soriot tha se shkencëtarët e Oksfordit nuk dëshironin të rekrutonin njerëz të moshuar derisa të kishin “grumbulluar të dhëna të sigurta” për personat e moshës 18 deri në 55 vjeç.

Por mungesat e vazhdueshme të dozave në Europë, e cila tani po përballet me një valë të tretë të infeksioneve të koronavirusit, kanë shkaktuar një krizë politike në bllok.

Udhëheqësit e BE do të takohen të enjten për të vendosur nëse do të miratojnë propozimet e Komisionit Europian për kontrolle edhe më të rrepta mbi eksportin e vaksinave, përfshirë AstraZeneca.Vendet europiane kanë shprehur zhgënjimin që Mbretëria e Bashkuar ka pasur përparësi në furnizimin me AstraZeneca ndërsa vendet e tjera po përballen me mungesa.

Përplasjet filluan gjatë kësaj jave pasi 29 milion doza të vaksinës AstraZeneca u zbuluan në një fabrikë në Itali.

Një zëdhënës i AstraZeneca hodhi poshtë raportet se dozat ishin pjesë e një “stoku”, duke thënë se vaksina ishte zhvilluar jashtë Bashkimit Europian dhe se ishte sjellë në fabrikë për t’u vendosur në shishe përpara se të shpërndahej brenda Europës dhe të eksportohej në vendet me të ardhura të mesme.

Nënkryetari i Komisionit të BE-së,  Valdis Dombrovskis tha se ai nuk mund të komentonte mbi origjinën ose përdorimin e mundshëm të dozave të raportuara të zbuluara në Itali, por vuri në dukje se prodhuesi i ilaçeve është “shumë larg nga zotimet e tyre kontraktuale”.

Megjithatë Simona Guagliardo, një analiste me Qendrën e Politikave Europiane, tha se vonesat e dorëzimit të AstraZeneca “sigurisht kanë ndikuar në ngadalësimin e shpërndarjes në të gjithë Europën”.

Rrugë shumë e vështirë përpara

Është shumë e vështirë të parashikosh se sa doza vaksinash mund të prodhohen nga AstraZeneca për shkak të llojit të përbërësve që përmban. AstraZeneca nuk dha komente për diçka të tillë, por ajo ka prodhuar më pak se sa pritej”.

Jo të gjitha problemet që ka hasur AstraZeneca kanë qenë rezultat i gabimeve të korporatave, theksoi Lazarus. Ai nuk e ka fajësuar kompaninë për frikën në lidhje me efektet anësore si mpiksjen e gjakut, e cila bëri që më shumë se një duzinë vendesh europiane të ndërpresin vaksinimet në fillim të këtij muaji.

Rregullatori i Bashkimit Europian zhvilloi një rishikim urgjent javën e kaluar dhe arriti në përfundimin  se vaksina ishte e sigurt. Por shqetësime të tjera – si keqinterpretimi i pretenduar i të dhënave në provat e saj të fundit në SHBA – kanë dëmtuar padyshim reputacionin e kompanisë, veçanërisht në krahasim me prodhuesit e tjerë të barnave që kanë prodhuar vaksina të sigurta dhe efektive.

Ronn Torossian, CEO i Marrëdhënieve me Publikun 5W, vuri në dukje se problemet e AstraZeneca vijnë në një kohë kur mosbesimi ndaj autoriteteve dhe përfitimet e vaksinimit mbeten të larta.

“Publiku është tashmë skeptik,” tha ai. “Unë mendoj se do të jetë shumë vështirë për AstraZeneca për të zgjidhur këtë problem.”

Berens i SVB Leerink mendon se kompania do të jetë në gjendje t’i tejkalojë këto probleme – veçanërisht pasi zhvillimi i vaksinave nuk është një biznes në të cilin mbështetet për të fituar para. Nëse AstraZeneca do të kthehej pas në kohë, a do të zgjidhte të përfshihej përsëri në prodhimin e vaksinave si në rastin e Covid?  Kjo nuk dihet ende. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!