G7 kërkon lirimin e menjëhershëm të Navalnyt

schedule23:48 - 26 Janar, 2021

schedule 23:48 - 26 Janar, 2021

Vendet e grupit G7 e quajtën të “motivuar politikisht” burgosjen e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny dhe kundërshtuan “shtypjen e dhunshme” të protestuesve pro-Navalny nga ana e Rusisë.

Përmes një deklarate të përbashkët, ministrat e jashtëm të Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kërkuan “lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar” të Navalnyt.

“Rusia ka detyrime kombëtare dhe ndërkombëtare për të respektuar dhe siguruar të drejtat e njeriut”, thuhet në qëndrimin e G7-ës.

Navalny u arrestua më 17 janar pasi u kthye nga Gjermania në Rusi. Në Berlin ai ishte duke u shëruar nga një helmim gati fatal me agjent nervor Noviçok, i shkallës ushtarake. Navalny e akuzon presidentin rus, Vladimir Putin për helmimin.

“Përdorimi i konfirmuar i armëve kimike kundër një politikani opozitar, si dhe ndalimi i Navalnyt e minojnë më shumë demokracinë, zërat e pavarur dhe pluralitetin politik në Rusi”, tha G7.

Rusia u pezullua nga G8 – tani e njohur si G7 – më 2014 si një përgjigje ndaj aneksimit të paligjshëm të rajonit të Krimesë nga Ukraina.

Ekipi i Navalnyt ka bërë thirrje për më shumë demonstrata më 31 janar dhe 2 shkurt, pasi një gjykatë do të shqyrtojë lëndën e tij të dënimit me kusht./REL