Futsallë/ Ndryshim plani te kuqezinjtë, ndaj Danimarkës luajmë në Tiranë

schedule20:11 - 27 Shkurt, 2021

schedule 20:11 - 27 Shkurt, 2021

Ndeshja e kthimit mes Shqipërisë dhe Danimarkës, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian të Futsalit 2022, Grupi 1, do të luhet në Tiranë më 4 mars 2021, ora 13:00 në sallën e Parkun Olimpik.

Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se vendimi për ta luajtur edhe këtë ndeshje në kryeqytetin shqiptar është marrë pas konsultave të vazhdueshme mes Federatës Shqiptare të Futbollit, Federatës Daneze të Futbollit dhe UEFA-s.

Ndeshja fillimisht ishte parashikuar të luhej më datë 7 mars 2021, ora 15:00 në “Spar Nord Arena Slagelse” të Danimarkës, por tashmë është spostuar dhe do të luhet në Shqipëri.

Vendimi për këtë ndryshim të kalendarit u mor për shkak të masave kufizuese të përcaktuara nga autoritetet shtetërore daneze për parandalimin e përhapjes së Covid-19, si edhe karantinës së detyruar për të gjithë personat që hyjnë në Danimarkë.

Në këto kushte organizimi i ndeshjes në Danimarkë përballej me shumë vështirësi dhe pas diskutimeve u ra dakord që edhe ndeshja e kthimit të luhet në Tiranë.

Ndërkaq, ndeshja e parë e eliminatoreve të Euro 2022 Futsal mes Shqipërisë dhe Danimarkës do të luhet sipas programit paraprak, më datën 3 mars 2021, ora 19:00 në Parkun Olimpik të Tiranës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!