Futbolli shqiptar në zi

schedule16:58 - 26 Mars, 2019

schedule 16:58 - 26 Mars, 2019

Futbolli shqiptar është në zi për humbjen e njërës prej legjendave më të shquara të tij. Ali Mema, ish-yll i Tiranës dhe kombëtares, u shua në moshën 76-vjeçare.

Ishte padyshim ndër më të mirët të të gjitha kohëve për vendin tonë. Po ashtu, pa asnjë dyshim, ishte edhe njëri nga më të ndershmit, me integritetin që e ruajti deri në frymën e fundit.

Shqipëria e futbollit është në zi për vdekjen e legjendës Ali Mema, ish-yll i 17 Nëntorit të atëhershëm (Tiranës së sotme) dhe ekipit kombëtar, po ashtu si trajner në klubin që e deshi aq shumë.

Njëri nga emrat më të spikatur të asaj që mund të quhet “Dinastia Mema”, u shua pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, në moshën 76-vjeçare. Lindur në 11 Shkurt 1943, “Liu” u bë pjesë e skuadrës së të rriturve të Tiranës që në moshën 17-vjeçare.

I formuar nga trajneri i njohur, Xhavit Demneri, ai fitoi katër tituj kampion me 17 Nëntorin e drejtuar nga trajneri Myslym Alla, po ashtu Kupën e Shqipërisë. Mema luajti 1 vit për Vllazninë, si dhe 12 ndeshje për ekipin kombëtar. Në kupat ballkanike, ai luajti edhe për Partizanin dhe Dinamon. Si ndihmëstrajner u shpall kampion i Shqipërisë tri herë, në vitet 80-të dhe 90-të.

Ali Mema u nderua me tituj të ndryshëm si Mjeshtër i Merituar, Mjeshtër i madh, Mjeshtër Sporti, Nderi i Sportit Shqiptar, Legjenda e Futbollit Shqiptar, Mirënjohje e Qytetit të Tiranës si dhe bën pjesë në Librin e Artë të Klubit të Futbollit Tirana. Homazhet në nderim të tij do të zhvillohen këtë të mërkurë, nga ora 10:00-12:00 në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!