“Futbolli më ka borxh diçka, më hapën një plagë! Përulësia më bëri të madh”

schedule12:02 - 13 Tetor, 2019

schedule 12:02 - 13 Tetor, 2019

Roberto Baggio është një nga futbollistët më të mëdhenj të historisë së futbollit. Bishtaleci i famshëm mbetet një idhull i shumë gjeneratave në Itali, por jo vetëm. Në një prononcim të dhënë në Festivalin e Sporteve në Trento, Baggio rrëfen disa momente pikante nga karriera e tij.

Penalltia e humbur në finalen e USA 1994 kundër Brazilit mbetet një moment epik. Ishte hera e parë në histori që fituesit e kupës së botës përcaktoheshin nga llotaria e penalltive. Baggio mori përsipër goditjen e fundit të Italisë, duhet të shënonte, por nuk mjaftonte me aq.

Brazili kryesonte 3-2 dhe i duhej të humbisnin edhe latinët shansin e fundit që të rikthehej barazimi. Ky fakt harrohet gjithmonë, por lotët e numrit dhjetë të Italisë, kurrë…

Baggio goditi sipër traut dhe ëndrra mori fund atë pasdite të nxehtë korriku në Kaliforni. Brazili në festë dhe në “Olimp” për herë të katërt, Azzurrët të shkatërruar totalisht. 52-vjeçari flet edhe për eksperiencën e bukur me Fiorentinën dhe transferimin te “armiqtë” e Juventusit. Tifozët u tërbuan dhe në Firence shpërtheu lufta.

Baggio, në ndeshjen e lamtumirës kundër Milanit në San Siro

Futbollisti i vetëm që ka arritur të bashkojë tifozët italiane në një mendje, ndalet edhe te Botërori i vitit 2002, që u zhvillua në Japoni dhe Kore. Ai ishte një ikonë në Azi, sidomos në Japoni, dhe të gjithë ëndërronin ta shihnin nga afër.

Në krye të Italisë ishte Giovanni Trapattoni, i cili doli kundër rrymës dhe e la Baggion në shtëpi. E trishtë kur mendon se në vend të tij u thirr njëfarë Cristiano Doni, i cili luante me Atalantën. Ky është pengu i madh i Baggios dhe shkaku se pse nuk u mor më me futboll, pasi u tërhoq përfundimisht nga loja më e bukur me top dy vite me vonë.

ÇELËSI I SUKSESIT – “Përulësia më bëri ai që jam. Nëse nuk ke frikë nga humbjet dhe nga rëniet me të cilat përballesh në jetë, është më e lehtë të gjesh forcë që të ringrihesh.”

FIORENTINA – “Marrëdhënia me Firencen lindi për shkak të dëmtimeve të rënda që pata. Kalova dy sezone pa luajtur, por njerëzit më pyesnin si isha dhe më uronin të bëhesha mirë. Vitin e tretë u riktheva në fushë, kurse në të katërtin dhe të pestin ua shpërbleva tifozëve. Ndihesha borxhli ndaj tyre. Me Firencen kam një lidhje të fortë, të pazakontë, ndaj edhe e mora shallin e Fiorentinës kur u ktheva si kundërshtar me Juven.”

Fitues i Topit të Artë në vitin 1993

SHITJA TE JUVENTUSI – “Duhej pak më shumë qartësi nga klubi. Mjaftonte të më thonin se nuk isha më në planet e skuadrës dhe se më kishin shitur. Unë nuk kam dashur të largohem. Për fat të keq në qytet pati tre ditë luftë, që shkaktuan edhe plagosje. Unë isha në Veneto dhe u ndjeva pjesërisht fajtor për atë që po ndodhte. Pas ca kohësh doli në media që unë isha shkaktari i gjithë asaj situate të krijuar.”

PENALLTIA E HUMBUR – “Kam humbur disa penallti gjatë karrierës, por ajo kundër Brazilit ishte e vetmja që godita lart. Ata kishin shënuar një më shumë se ne, ndërsa gabimi im vulosi gjithçka. Nuk më del nga mendja edhe sot… Me të vërtetë. I vogël ëndërroja të luaja një finale Itali-Brazil dhe të fitonim me golin tim. Nuk e kisha imagjinuar kurrë një epilog të ngjashëm me atë që ndodhi në Pasadena.”

Baggio dështon të shënojë kundër Claudio Taffarel

KOMBËTARJA – “Të veshësh atë fanellë ishte diçka e jashtëzakonshme, e pabesueshme. E ndjeja fanellën dhe do të jepja gjithçka për të, sidomos pas penalltisë së humbur në Botërorin e vitit 1994. Kishte një ndjenjë hakmarrje tek unë.”

BOTËRORI 2002 – “Organizatorët e Botërorit të Koresë dhe Japonisë thonin se kontingjenti i kombëtareve duhej shtuar nga 22 në 23 lojtarë të grumbulluar. FIFA kishte llogaritur që do të grumbullohesha edhe unë me Ronaldon, por Trappatoni më la në shtëpi. Kjo ishte një plagë e krahasueshme vetëm me dhimbjen e penalltisë së humbur kundër Brazilit.”

PENGU I MADH – “Ndoshta do të tregohem mendjemadh dhe egoist, por për herë të parë nuk do të interesohem për diçka të tillë: e meritoja të luaja në Botërorin e vitit 2002. Dikush kishte dyshime mbi gjendjen time fizike, por isha kthyer 77 ditë pas operacionit. Edhe pse mund të mos aktivizohesha, nuk e meritoja të qëndroja jashtë. Futbolli ma kishte borxh diçka të tillë. Ndoshta ky ishte shkaku pse u largova përfundimisht nga bota e futbollit.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!