Futbolli i fëmijëve është një nga prioritetet e rëndësishme të FSHF-së, që nëpërmjet strategjive, projekteve dhe investimeve ka si qëllim krijimin e mundësive të barabarta për të gjitha moshat dhe gjinitë, që çdokush të ketë akses në lojën e bukur të futbollit.
Së shpejti, edicioni i ri do të fillojë edhe në futbollin e fëmijëve, ndërsa regjistrimet kanë nisur në çdo akademi. Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë nën mbikëqyrjen e FSHF-së, zhvillon aktivitetet e futbollit të fëmijëve në kryeqytet dhe organizon kampionatet rajonale të moshave (U-7, U-9, U-11, U-13, U-14, U-15, U-16, U-17 dhe U-19).
Kryetari i SHRF Tiranë, Krenar Alimehmeti, në një intervistë për fshf.org foli për sezonin e kaluar dhe tregoi se së shpejti do të nisë edicioni i ri në futbollin e fëmijëve.
“Sezoni i kaluar ishte shumë i suksesshëm në futbollin e fëmijëve, kjo falë edhe mbështetjes maksimale nga FSHF. Në Shoqatën Rajonale të Futbolli Tiranë u regjistruan 63 ekipe më shumë në të gjitha nivelet e moshave, dhe vlen të theksohet se projektet e ndërmarra nga FSHF kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e numrin të fëmijëve që merren me futboll. Projektet “Topi Yt” dhe “Uniforma Ime” po rezultojnë shumë të suksesshme, pasi çdo akademi dhe klub përfitojnë topat falas, ndërsa të gjithë fëmijët pajisen me uniforma stërvitjeje dhe loje. Edhe prindërit janë shumë të kënaqur pasi këto projekte kanë reduktuar kostot. Gjithashtu, FSHF për të gjitha ndeshjet e organizuara nga SHRFT paguan delegatët, mjekët dhe arbitrat. Sezoni i ri do të nisë në fundin e muajit shtator. Përgatitjet nga ana e SHRFT-së kanë nisur dhe pritet sërish rritje e numrit të fëmijëve në sportin e bukur të futbollit” – tha Krenar Alimehmeti, teksa shtoi se prindërit kanë si detyrim për të paguar vetëm një tarifë minimaliste për kartonin dixhital në momenin e regjistrimit të fëmijës në një akademi ose klub futbolli.
“Regjistrimet kanë nisur në çdo akademi dhe klub futbolli, ndërsa detyrimi i prindërve në momenin e regjistrimit është një tarifë e vogël për kartonin dixhital të regjistrimit. Për moshën U-7 tarifa është vetëm 200 lekë, deri te mosha më e madhe U-19 që kushton 800 lekë. Uroj që të jetë një sezon akoma më i suksesshëm dhe i ftoj të gjithë prindërit t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në sportin e futbollit” – tha Kryetari i SHRF Tiranë, Krenar Alimehmeti. /FSHF
SHFRT bën me dije se tarifat e regjistrimit për kartonin dixhital të çdo moshe janë si më poshtë:
Mosha U-7 200 lekë
Mosha U-9 300 lekë
Mosha U-11 500 lekë
Mosha U-13 600 lekë
Mosha U-14 800 lekë
Mosha U-15 800 lekë
Mosha U-16 800 lekë
Mosha U-17 800 lekë
Mosha U-19 800 lekë