Futbolli amator/ Demneri: Kanë nisur regjistrimet për sezonin e ri, risia kryesore është futbolli i plazhit

schedule16:56 - 24 Korrik, 2024

schedule 16:56 - 24 Korrik, 2024

Futbolli amator i organizuar nga FSHF përmbylli një sezon mjaft të suksesshëm me kampionatet kombëtare të organizuara në disa qytete të vendit si, FSHF Sunday League 9×9, kampionati 5×5, kampionati 11×11, kampionati Kombëtar i Futsallës, si edhe vlen për t’u përmendur pjesëmarrja e parë historike e ekipit Kombëtar në turneun ndërkombëtar UEFA Regions’ Cup.

Drejtori i Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri, në një prononcim për fshf.org ka analizuar sezonin 2023/24 duke e cilësuar mjaft të suksesshëm, ndërsa thekson se në edicionin e ri pritet që numri i ekipeve pjesëmarrëse të rritet sërish dhe futbolli amator të shtrihet edhe në disa qytetet të tjera të vendit.

“Sezoni 2023/2024 ishte një sezon shumë i suksesshëm për futbollin amator, ku patjetër Sunday League me numrin e konsiderueshëm të ekipeve, futbolli 5×5, Futsal dhe aktivitetet ndërkombëtare që ne kemi marrë pjesë. Këtë vit, në sezonin 2024/2025 presim një rritje të numrit të ekipeve, presim që numri i ekipeve të Sunday League të ketë një rritje të ndjeshme, futbolli 5 x5 të shtrihet dhe në qytete të tjera, si në Shkodër, Lezhë, Fier, të cilat nuk kanë pasur aktivitet vitin e kaluar. Këtë vit mendojmë që do të kemi rritje të numrit të ekipeve dhe zhvillim në këto qytete”, – tha fillimisht Drejtori i Futbollit Amator në FSHF.

Më tej, Demneri flet edhe për kampionatin Kombëtar të Futsallës ku thekson se në sezonin e ri pritet një rritje e numrit të ekipeve. Gjithashtu ai vlerësoi edhe suksesin e ekipit Kombëtar në UEFA Regions’ Cup ku pas kalimit në raundin e ndërmjetëm tani objektivi kryesor është kualifikimin në raundin kryesor të këtij kompeticioni.

“Gjithashtu, edhe kampionati i Futsallës do të vazhdojë me një rritje të numrit të ekipeve pjesëmarrëse, presim aktivitete ndërkombëtare. Një sukses shumë i madh që vlen për t’u përmendur është pjesëmarrja në turin para-eleminator të UEFA Regions Cup, ku arritëm të marrim dy fitore, me ekipet si Estonia dhe Armenia. Në datën 13 gusht do të marrim pjesë në Bosnje në turin e ndërmjetëm. Shqipëria merr pjesë për herë të parë dhe siguruam kualifikimin, që është një arritje shumë e madhe për ne. Objektivi kryesor do të jetë të shkojmë në raundin kryesor, që do të ishte qershia mbi tortë e kualifikimit tonë. Për aktivitetet e 5×5 kemi edhe ekipin kombëtar, i cili ka marrë pjesë në turneun e zhvilluar në Moldavi, ku arritëm të kualifikohemi për kampionatin botëror, i cili do të zhvillohet në dhjetor në Oman”, – tha Demneri, duke zbuluar edhe risinë kryesor të këtij edicioni që është futbolli i plazhit. Ndërsa shtoi se këtë sezon pritet një masivizim në kampionatet 9×9, 5×5 për shkak të interesit të lartë dhe theksoi se kanë nisur regjistrimet për sezonin 2024/25.

“Risia e këtij viti do të jetë futbolli i plazhit, i cili do të fillojë regjistrimet në muajin shtator – tetor dhe do të kemi një kompeticion të rregullt, i cili do të konkludojë edhe me ekipin Kombëtar, që do të marrë pjesë në eleminatoret e kampionatit europian në muajin maj. Interesi është shumë i lartë. Këtë vit pretendojmë të kemi një masivizim të futbollit 9×9 dhe 5×5, jemi vazhdimisht duke kryer regjistrime dhe po zhvillojmë diskutime me ekipet e reja që duan të marrin pjesë”, – thotë ai për fshf.org.

Në fund, Drejtori i Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri, tha se FSHF është e hapur për bashkëpunim me bizneset për të sponsorizuar futbollin amator.

“Federata Shqiptare e Futbollit është e hapur për të gjithë bizneset që duan të sponsorizojnë, të marrin emrin e Sunday League, të sponsorizojnë në kupa apo aktivitete të ndryshme, si futbolli 5×5, Futsal. I ftojmë të gjithë bizneset të marrin pjesë dhe të sponsorizojnë në këto aktivitete kaq të bukura që organizon futbolli amator”, – përfundoi prononcimin e tij. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!