Vila L fitoi Superkupën e futbollit amator 9×9, pasi mundi në finale Kastriotët me rezultatin minimal 1-0. Në ndeshjen e luajtur mbrëmjen e djeshme në “Shtëpinë e Futbollit”, u zhvillua një përballje shumë e fortë mes dy skuadrave më të mira të sezonit të kaluar; Vila L – skuadra kampione e edicionit 2023-2024 dhe Kastriotët – kampioni i FSHF Cup.
Goli i fitores nga skuadra e Vila L u shënua në minutën e 48-të me anë të Mersinit, i cili realizoi një gol spektakolar nga jashtë zonës, duke vulosur finalen e Superkupës.
Ky ishte trofeu i parë i sezonit të ri në futbollin amator. Më 23 shtator do të nisë edhe edicioni i gjashtë i kampionatit të futbollit amator “Sunday League Albania”, që pritet të dhurojë emocion dhe spektakël gjatë gjithë sezonit.
Në përfundim të finales së Superkupës u organizuar edhe ceremonia tradicionale për dorëzimin e trofeut. I pranishëm ishte Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, i cili i dorëzoi kupën dhe medaljet ekipit fitues Vila L. /FSHF