Fushatat e depistimit për kancerin e gjirit ulin vdekshmërinë te gratë mbi 50 vjeç

schedule16:51 - 16 Mars, 2022

schedule 16:51 - 16 Mars, 2022

Kanceri është një nga shkaktarët kryesorë në vdekshmërinë e grave ne botë. Sipas mjekes radiologe në spitalin Amerikan 3, Ergena Begolli, kohët e fundit është ulur numri i vdekshmërisë tek gratë mbi 50 vjeç, si pasojë e fushatave të vazhdueshme të depistimit.

“Të gjitha gratë janë të rrezikuara të preken nga kanceri i gjirit gjatë jetës së tyre. Ekzaminimet radiologjike të rekomanduara për zbulimin e kancerit të gjirit siç janë mamografia, ekografia dhe rezonanca e gjirit, ofrohen në qendrën e gjirit në spitalin Amerikan 3, prej shumë vitesh. Si fillim depistimi nis me mamografinë , e cila këshillohet të bëhet mbi moshën 40 vjeç. Nga mosha 41 deri në 44, këshillohet çdo 1 apo dy vite, nga mosha 44 deri në 54 bëhet çdo një apo dy vite, dhe nga mosha mbi 54 mund të bëhet çdo një apo dy vite. Ekografia është një ekzaminim që kryhet në çdo moshë, por në moshat mbi 40 vjeç është thjesht një ekzaminim plotësues i mamografisë dhe në ato gra që kanë një strukturë të dendur të gjirit. Rezonanca e gjirit ka një sensitivitet shumë të lartë në depistimin e kancerit të gjirit në gratë që kanë një rrezik të lartë për tu prekur nga ky kancer. Në këtë grup pacientesh, depistimi fillon në moshën 30 vjeç, dhe bëhet duke filluar me mamografinë dhe me rezonancën e gjirit.”

Mjekja tregon disa prej shenjave paralajmëruese të kancerit të gjirit, të cilat nuk duhen neglizhuar.

“Nëse një grua prek një gjendër në gji, ose në sqetull. Nëse tërhiqet koka e gjirit brenda. Nëse ka rrjedhje me ngjyrë nga koka e gjirit, nëse ndryshon ngjyra e gjirit apo e kokës së gjirit, dhe dhimbja, janë shenja që nuk duhen neglizhuar.”

Rreziku i zhvillimit të kancerit të gjirit është shumë i rrallë te gratë në të 20-at e tyre, i rrallë tek ato në të 30-at dhe rritet në mënyrë të konsiderueshme pas kësaj moshe. Rreziku dyfishohet midis moshës 45 deri në 75 vjeçare.  Përveç aparaturave të fjalës së fundit, Qendra e Gjirit në Spitalin Amerikan 3 është e vetmja në vend që ka në përbërjen e saj një staf të specializuar që kryen të gjitha shërbimet e nevojshme duke nisur nga diagnostikimi, ndërhyrja dhe ndjekja e pacienteve te prekura nga kjo sëmundje. Ekzaminimi në kohë, shpëton jetë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!