Aleanca për Shqipërinë Madhështore hapi fushatën elektorale me modelin Donald Trump. Të rinjtë u vendosën në qendër të podiumit, me kapele e pankarta, kurse kandidatët në cep, për ta nisur mitingun duke kërcyer me këngën Surviver për Roki Balbao.
Sheshi u mbush me karrige, ku u ulën militantët. Fjalën nuk e mori asnjë politikan, por të rinj e qytetarë të cilët citonin programin e Berishës.
Dhe momenti, më në fund erdhi. Dy muaj pritje, për as 2 minuta të arta. Kaq zgjati fjalimi i magjistarit La Civita, të vetëquajturit sherifit amerikan.
Fjalën e fundit e mori Berisha. Ai tha se kjo fushatë është më emocionuesja për të. Pranoi, se kësaj radhe ai vjen i pastruar, dhe falënderimin për rikthimin në PD, e kishte vetëm për Ramën.
“Vetingu që i bëri me lakejtë e tu, tregoi se Sali Berisha del sot para shqiptarëve si politikani më i pastër që ka njohur Shqipëria dhe më gjerë.
Edvin, me atë vetting, të cilin e nise si e nise, mund të them se nder më bëre, u tregove shqiptarëve se ku qëndron forca e pathyeshme e Sali Berishës.”
Berisha pranoi se nuk e rivalizon dot me vite Ramën, por pretendoi se të paktën, ia kalon në pamje.
“Sali Berisha te paktën vitet i ka bio. Ja u them unë ju. Ky ngjan e duket, jo me Gramoz Rucin, po me gjyshin e Gramoz Rucit. Se se keni njohur ju, por e mbaj mend un”
Ndërsa i kërkoi Ramës të largohet me votë, ai vetë qartësoi se nuk ka qëllim pushtetin.
“Edi Rama largohu me vote. Largohu. Po preke vote s’do kesh vend mbi dhe. Unë nuk jam kthyer për pushtet, as per luks. Ato qe i lashë unë në pushtet ti nuk i zhbën dot”
Një porosi Berisha i kishte për të tijët. Të lënë gjumin dhe qejfet për 1 muaj. Si këmbim u premtoi festë më 12 maj.
“Harrojeni lodhjen, gjumin, dëfrimet për 30 ditë. Më 12 maj të festojmë sërish këtu ku e nisim”
Në këtë hapje fushate, Berisha nuk sulmoi drejtësinë, por harroi edhe integrimin europian. Në miting, i mungoi Ilir Meta, i cili është në burg, dhe beqar. Në vendin e tij ishin 3 fëmijët.
/abcnews.al/

