Qarkullimi i fondeve publike është rritur ndjeshëm në kulmin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se gjatë periudhës janar-mars 2021 u shpenzuan për investime 11,3 miliardë lekë. Kjo shumë ishte 118% më e lartë se fondi i shpenzuar në tremujorin e parë të vitit të kaluar. Ky është niveli më i lartë i shpenzimeve kapitale në tre muajt e parë të vitit, që nga viti 2013, edhe atëherë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të atij viti.
Por teksa shihet se realizimi i fondeve të investimeve po ecën me ritme të shpejta, nuk ka ndodhur e njëjta gjë për fondin e rindërtimit.
Në fund të tremujorit të parë rezultuan të shpenzuara për rindërtimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 vetëm 2,9 miliardë lekë nga 4.6 miliardë lekë të planifikuara për këtë periudhë. Siç shihet nga të dhënat zyrtare është realizuar vetëm 63% e fondit të planifikuar për këtë periudhë. Për të gjithë vitin 2021 kanë planifikuar për procesin e rindërtimit 28 miliardë lekë. Alokimi i fondeve pati ecuri shumë të dobët edhe gjatë vitit të kaluar, ku realizimi vjetor nuk ishte më shumë se 57%. Teksa qeveria nuk po mundet të alokojë shumat e programuara për të prekurit nga tërmeti, shumë banorë jetojnë ende në kushte të vështira dhe në çadra.
Disa shpenzime buxhetore të tilla si shpenzimet kapitale dhe rimbursimi i TVSH-së u rritën me shpejtësi në dy muajt e parë të vitit, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Sipas të dhënave të detajuara të investimeve publike të dymujorit 2021, financimet më të mëdha i morën projektet e infrastrukturës, koncesionet PPP dhe procesi i rindërtimit. Të dhënat më të detajuara tregojnë se projekti më i financuar për dymujorin ishte “Subvencionim Projekti koncesionar/PPP për subvencionimin e rrugës Milot – Morinë”, me 369 milionë lekë, nga 740 milionë lekë të programuara për të gjithë vitin.
Projekti i dytë më i financuar në dy muajt e parë të vitit ishte “projekti i burimeve ujore me 366 milionë lekë, edhe pse për këtë projekt nuk kishte fonde të programuara sipas të dhënave nga Ministria e Financave.
Projekti i tretë më i financuar ishte segmenti rrugor Qukës-Qafë Plloçë, me 359 milionë lekë, edhe ky një projekt i paprogramuar në buxhetin e këtij viti, sipas tabelës së pagesave nga thesari.
Gjithashtu, edhe pse pa financime të përllogaritura, projekti i rehabilitimit të lumit të Vlorës mori gjatë dy muajve të parë 295 milionë lekë. Projekte të tjera të infrastrukturës rrugore, për të cilat nuk ishin planifikuar financime morën fonde nga buxheti, si ndërtimi i By Pass të Vlorës me 129 milionë lekë dhe programi i infrastrukturës bashkiake, me 137 milionë lekë.
Nga 20 projektet më të financuara të dy muajve të parë të vitit 2020, më shumë se gjysma, 11 prej tyre nuk ishin të programuara për financim këtë vit.
Gjatë vitit 2021 janë programuar 97 miliardë lekë të cilat do të shpërndahen për financimin e 1942 projekteve. Gjatë tremujorit janë shpenzuar mbi 11 miliardë lekë rreth 100 mln euro./Monitor