Fusha e “Air Albania” për duelin me Anglinë, FSHF “betejë” me kohën

schedule15:56 - 10 Shkurt, 2021

schedule 15:56 - 10 Shkurt, 2021

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Anglisë do të luhet në tapetin ekzistues të “Air Albania Stadium”. Federata Shqiptare premton se fusha do të përmirësohet dhe do të jetë gati në 28 mars, ndërsa vetëm më pas do të vendoset tapeti i ri me bar të përzier

Për ndryshim radikal, koha nuk premton. Nuk do të ketë tapet të ri në “Air Albania Stadium” për ndeshjen eliminatore të Botërorit ndaj Anglisë, ndonëse besimi është se fusha do të jetë në gjendje të mirë në 28 mars.

Terreni ka nisur të trajtohet nga specialistët e ardhur nga Greqia, ndërsa pritet të vijë edhe specialist nga Anglia i caktuar nga FIFA. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Arben Dervishaj, deklaroi në linjë telefonike për ABC se Federata është optimiste se afatet janë të mjaftueshme që Anglia të stërvitet në 27 mars në Arenë dhe të luajë një ditë më vonë.

Ai sqaron se javën e ardhshme pritet të vijnë nga Greqia pajisjet që do të ndihmojnë përmirësimin e cilësisë së barit, si llambat ngrohëse dhe ventilatorët, të cilët cilësohen të domosdoshëm në një stadium të tipit anglez siç është ky i Tiranës.

Pajisjet priteshin të vinin më shpejt, por kufizimet e pandemisë sollën vonesa. Dervishi merr si shembull vonesën e Bayern Munich në aeroport para Botërorit të klubeve, për të ilustruar gjendjen e vështirë.

Zgjidhja përfundimtare për terrenin do të realizohet vetëm pas ndeshjes me Anglinë. Tapeti i ri pritet të vendoset në periudhën maj ose qershor, kur koha të jetë e përshtatshme dhe bari do të jetë i kombinuar, natyral dhe sintetik.

Sipas vendimit që do të marrin specialistët, do të ketë 10 deri në 20 për qind bar artificial, ndërsa mbjellja mund të realizohet në dy mënyra. Ekziston mundësia që Partizani të luajë 5 ndeshjet e fundit në shtëpi, në periudhën nga 3 prilli deri në 12 maj, ditë ku do të jetë dueli ndaj Vllaznisë, e po ashtu derbi ndaj Tiranës më 2 maj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!