Fuqitë botërore mbledhin 1 miliard dollarë për Libanin

schedule22:09 - 24 Tetor, 2024

schedule 22:09 - 24 Tetor, 2024

Fuqitë botërore i kanë grumbulluar 1 miliard euro për ta lehtësuar krizën humanitare në Liban dhe për ta mbështetur ushtrinë e këtij vendi, të enjten gjatë një konference në Paris, ku ministri i Jashtëm i Francës i bëri thirrje Izraelit ta marrë parasysh kërkesën për armëpushim dhe të përqendrohet në diplomaci.

Rreth 70 delegacione qeveritare dhe 15 organizata ndërkombëtare u takuan në Paris për ta ndihmuar Libanin, por prania e një delegacioni jo të lartë amerikan dhe zgjedhjet e muajit të ardhshëm në SHBA e zbehën shpresën për ndërprerjen e menjëhershme luftimeve.

“Mesazhi [për Izraelin] është i thjeshtë: Armëpushim!” tha ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot gjatë konferencës për media, duke shtuar se propozimi amerikano-francez për armëpushim të përkohshëm vlen ende.

Barrot njoftoi se mbi 800 milionë dollarë, përfshirë 300 milionë nga Uashingtoni, janë grumbulluar për t’i ndihmuar me ushqim, kujdes shëndetësor dhe arsim rreth 1 milion njerëz të zhvendosur.

Ndërsa, 200 milionë dollarë shtesë do të shkojnë për Forcat e Armatosura të Libanit (LAF), të cilat cilësohen si garantues i stabilitetit të brendshëm, si dhe jetike për zbatimin e rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 2006, e cila kërkon që në Libanin jugor të mos ketë trupa as armatim tjetër pos atyre të shtetit libanez.

Franca ka lidhje historike me Libanin dhe është duke punuar me Uashingtonin për ta siguruar një armëpushim, megjithëse dy aleatët kanë qëndrime të ndryshme sa i përket rezolutës 1701.

Pasi Izraeli e hodhi poshtë planin për armëpushim 21-ditor në shtator, ndikimi i Parisit ka qenë i kufizuar prej kur Izraeli e nisi një luftë të gjera ndaj Hezbollahut të mbështetur nga Irani në Liban, e cila i ka vrarë më shumë se 2.500 njerëz dhe ka zhvendosur të paktën 1.2 milion të tjerë.

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

“Stuhia që po e shohim tani nuk është si asnjë tjetër më parë, sepse mbart farat e shkatërrimit të përgjithshëm”, tha kryeministri i përkohshëm i Libanit, Najib Mikati, duke iu lutur delegatëve ta rrisin trysninë mbi Izraelin.

Duke hapur konferencën, presidenti Emmanuel Macron tha se nuk duhet të ketë kthim në ciklet e kaluara të dhunës.

“Më shumë dëme, më shumë viktima, më shumë sulme nuk do ta mundësojnë fundin e terrorizmit apo garantimin e sigurisë për të gjithë”, tha ai.

Pavarësisht thirrjeve të përsëritura për armëpushim, të enjten nuk kishte asnjë shenjë se konflikti do të zbutet. Tre ushtarë libanezë u vranë në një sulm izraelit afër kufirit, sipas ushtrisë libaneze.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shmangu Parisin dhe duket se nuk arriti shumë përparim gjatë një turneu në Lindjen e Mesme, një përpjekje e fundit për paqe para zgjedhjeve të muajit të ardhshëm në SHBA./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!