FTI, operatori i tretë më i madh turistik në Europë shpall falimentin

schedule15:47 - 3 Qershor, 2024

schedule 15:47 - 3 Qershor, 2024

Kompania gjermane e turizmit FTI shpalli sot falimentimin, pas dështimit të negociatave që menaxhmenti i saj pati me qeverinë federale.

Falimentimi i operatorit të tretë më të madh turistik në Europë prek 11,000 punonjës, si dhe dhjetëra mijëra udhëtarë, të cilët ose janë aktualisht me pushime ose kanë rezervuar tashmë paketa turistike.

Sipas informacioneve të BILD, drejtuesit e FTI-së kanë qenë në negociata me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, me synimin për të mbuluar hendekun financiar dyshifror për të kaluar verën.

Qeveria federale hodhi poshtë kërkesën e kompanisë të dielën në mbrëmje.

FTI me bazë në Mynih tashmë po luftonte para pandemisë së koronavirusit dhe kishte arritur të mbijetonte me vetëm 595 milionë euro nga Fondi i Stabilizimit Ekonomik të qeverisë (ËSF) dhe një shtesë prej 280 milionë euro të marra nga UniCredit.

Në prill, shpëtimi i kompanisë dukej se mund të arrihej, pasi firma amerikane e investimeve Centares njoftoi se do ta blinte atë, duke marrë përsipër borxhin e saj prej 1 miliardë eurosh dhe duke siguruar një kapital shtesë prej 125 milionë eurosh. Procesi u vonua sepse Zyra Federale për Kartelet nuk do ta miratonte blerjen deri në gusht ose shtator, kështu që FTI kishte nevojë për fonde gjatë verës.

Kompania njoftoi se po bëhen përpjekje që ata që janë tashmë me pushime t’i kryejnë ato normalisht dhe të kthehen pa probleme, ndërsa Fondi i Sigurimeve të Udhëtimit do të marrë përsipër të kthejë paradhëniet për paketat që në fund do të anulohen.

Fondi u krijua në vitin 2019, pas falimentimit të Thomas Cook Group.

/abcnews.al