FT: Ballkani kthen sytë nga Kina dhe Rusia për vaksinat

schedule10:24 - 3 Shkurt, 2021

schedule 10:24 - 3 Shkurt, 2021

Nga Finacial Times

Ndërsa zemërimi ka përfshirë Bashkimin Europian për vonesat lidhur me procesin e vaksinimit kundër koronavirusit, Serbia ka arritur shkallën më të lartë të vaksinimit për frymë në Europën kontinentale.

”Por, vendi ballkanik, një kandidat për anëtarësimin në bllok, nuk po përdor vaksinat e prodhuara në Perëndim. Në vend të kësaj, Serbia i është drejtuar kompanisë kineze ”Sinopharm” duke u bërë vendi i parë europian që përdor vaksinat e saj dhe fqinjët duket se do të ndjekin shembullin e Beogradit.

“Bota ka goditur një ajsberg, si ”Titanik”-u, dhe të pasurit  po mbrojnë veten dhe të dashurit e tyre”, deklaroi presidenti serb, Aleksandar Vuçiç javën e kaluar duke justifikuar vendimin e tij për të blerë vaksina kineze dhe ruse, ndërsa negocionte gjithashtu edhe kontratat e miratuara nga BE-ja.

“Ne jemi duke u mbytur së bashku me ‘Titanik’-un. Unë nuk mendoj se ky është qëllimi i tyre, por thjesht kjo gjë nuk është e rëndësishme për ta”, theksoi ai.

Megjithëse BE u ka siguruar 70 milionë euro gjashtë anëtarëve aspirantë ballkanikë për të blerë vaksinat, problemet e prokurimit në Europë nënkuptojnë që katër prej tyre ende nuk kanë marrë vaksina, edhe pasi vaksinimi ka filluar muaj përpara në vendet e tjera.

Të irrituar, disa prej tyre tani po hedhin sytë drejt Lindjes, nga Rusia dhe Kina për të siguruar furnizime. Disa zyrtarë paralajmërojnë se kjo gjë mund të dëmtojë gjithashtu besueshmërinë e BE-së në rajon.

“Dikush mund ta përdorë këtë situatë dhe të thotë se Kina dhe Rusia janë ato që po ndihmojnë në kohë të vështira, ndërsa qeveritë perëndimore po dështojnë”, tha një zyrtar në Maqedoninë e Veriut.

Ndryshe nga shumica e udhëheqësve rajonalë, presidenti i Serbisë ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me Pekinin dhe Moskën, paralelisht me procesin e pranimit të Serbisë në BE, të cilat kanë zemëruar Brukselin dhe Uashingtonin. Serbia, një vend me shtatë milionë banorë, ka marrë më shumë se një milion doza dhe Vuçiç tha të shtunën se një milion të tjera do të mbërrinin para fillimit të marsit.

Qasja e Beogradit po ndiqet edhe nga vende të tjera në rajon, që kishin besuar në planin e shpërndarjes së BE-së. Ata nuk prisnin të merrnin vaksina në të njëjtën kohë me vendet anëtare të BE-së, por ata prisnin një afat të caktuar për mbërritjen e tyre dhe tani ndihen sikur po braktisen.

Kosova fqinje dhe Bosnje-Hercegovina, si dhe aleatët e NATO-s, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, nuk kanë marrë ende një dozë të vetme. Zyrtarët në Shkup dhe Podgoricë njoftuan javën e kaluar se do të blinin vaksina nga Rusia dhe Kina.

“Ne kërkuam vaksina nga Perëndimi për të treguar se ku bëjmë pjesë si vend dhe fillimisht përjashtuam mundësinë e negociatave me rusët dhe kinezët”, tha një  zyrtar nga Maqedonia e Veriut për ”Financial Times”.

Por, ai shtoi se qeveria e tij e kishte gjithnjë e më të vështirë të justifikonte vonesat.

“Meqenëse vende të tjera në Europë si Hungaria po marrin vaksinën ‘Sinopharm’, do të ishte e vështirë t’u shpjegohej njerëzve pse po presim për ‘Pfizer’-in, ‘Moderna’-n dhe ‘AstraZeneca’-n”, tha ai, duke iu referuar tre kompanive që prodhojnë vaksina të miratuara nga BE.

Ministrja e Shëndetësisë e Malit të Zi, Jelena Boroviniç Bojoviç tha se përveç një kontrate të nënshkruar kohët e fundit për 150 000 vaksina kineze, ajo do të kërkonte edhe 50 000 doza shtesë të vaksinës ‘Sputnik’.

Qeveria boshnjake tha në mes të janarit se do të fillonte negociatat me Moskën, Pekinin dhe ‘Pfizer’-in.

Dy vendet kishin pritur furnizimet e premtuara nga Covax, aleanca e vaksinave shumëpalëshe, por që vaksinat ende nuk kanë mbërritur. BE  kishte përjashtuar Ballkanin nga eksporti i vaksinave në vendet joanëtare.

”Por, paaftësia e bllokut për të dërguar edhe doza simbolike për anëtarët e tij aspirantë i zhgënjeu ata”, sipas Adi Cerimagiç, një analist.

“Ata nuk prisnin ta merrnin vaksinën në të njëjtën kohë me vendet anëtare të BE-së, por ata prisnin një lloj afati, mbërritjen e tyre dhe tani ndihen sikur po braktisen”, tha ai.

Sidoqoftë, mosbesimi historik ndaj Kinës dhe Rusisë në Shqipëri sërish fiton mbi zhgënjimin ndaj Europës. Tri dekada më parë, Shqipëria ishte një prej diktaturave më të ashpra të Europës, që për shumë vite ishte mbështetur nga Pekini.

Kryeministri Rama tha se do ta shmangë marrjen e vaksinave ruse apo kineze për shkak të hijeve të dyshimit. Por,  Rama thotë se ishte i zhgënjyer që vendi i tij, që u bashkua me NATO-n në 2009, nuk kishte marrë as doza simbolike përmes mekanizmave të BE-së.

Shqipëria filloi vaksinimin e punonjësve shëndetësorë me 970 vaksina nga BioNTech/Pfizer, të dhuruara nga një vend europian.

“Kur erdhi puna për shpërndarjen e vaksinës, u habita shumë”, tha Rama për ”Financial Times” në një intervistë.

”Nuk është se Bashkimi Europian është në formën e tij më të mirë dhe se ai po na kthen shpinën. Është një rrëmujë e tërë… Dëmi që ai po i bën vetes është i madh”, thotë ai./ Përktheu Sonila Backa/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!