FSHF merr vendimin, “Over Sport” nuk do të transmetojë më përballjet e “Abissnet Superiore”

schedule16:11 - 27 Qershor, 2023

schedule 16:11 - 27 Qershor, 2023

Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se ka ndërprerë kontratën me shoqërinë “Over Sport”. Që kishte fituar të drejtën e transmetimit televiziv të kampionateve “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë. Si edhe të Kupës së Shqipërisë e Superkupës së Shqipërisë.

Ky vendim i FSHF-së ka ardhur pas shkeljeve dhe mospërmbushjes së detyrimeve kontraktore në mënyrë të përsëritur nga shoqëria “Over Sport”.

Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të FSHF-së për të rivendosur bashkëpunimin në një modul të arsyeshëm, “Over Sport” në mënyre të përsëritur shpërdoroi besimin e dhënë nga FSHF.

FSHF e ndjen për detyrim ndaj tifozëve dhe konsumatorëve në përgjithësi, të bëjë me dije këtë lajm duke i garantuar se do të bëjë çdo përpjekje për të siguruar transmetim televiziv profesional dhe të ndershëm për aktivitetet e saj.

Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit do të nisë procedurat ligjore në lidhje me rivendosjen e dëmeve që ka shkaktuar shoqëria në fjalë për mospërmbushjen e detyrimeve që përcaktonte kontrata e firmosur mes palëve në fillim të sezonit të kaluar. /i.m /abcnews.al