FSHF ka mbështetur një aktivitet për fëmijë në Tropojë, aty ku fëmijët aktivizohen me klubin e Valbonës. Qeveria e futbollit në vend ka qenë e gatshëm të mbështesë iniciativën e trajneri të Kukësit, Skënder Gega, teksa është munduar edhe t’i ndihmojë fëmijët e vegjël përmes dhurimit të bazës materiale që u shërben për t’u stërvitur çdo ditë.
NJOFTIMI – Federata Shqiptare, vijon punën e saj për zhvillimin e futbollit në çdo skaj të Shqipërisë dhe këtë herë ka shkuar në qytetin e Tropojës në veri të vendit tonë, ku me iniciativën e përbashkët të ish-lojtarit të kombëtares dhe shpresave Skënder Gega, ka zhvilluar një aktivitet me futbollistët e vegjël U-7, U-9, U-11 dhe U-13 që aktivizohen pranë klubit “Valbona”.
Futbolli i fëmijëve është një nga shtyllat e rëndësishme të aktivitetit të qeverisë së futbollit shqiptar dhe ka në vëmendje maksimale zhvillimin e sportit më të dashur për shqiptarët, por edhe shtrirjen e këtij sporti kudo në Shqipëri, pavarësisht terrenit dhe kushteve atmosferike përgjatë vitit.
Për të promovuar dhe nxitur dëshirën e fëmijëve të moshave të skuadrës “Valbona”, Federata Shqiptare e Futbollit u erdhi në ndihmë me bazë materiale, një faktor nxitës në këto grupmosha, që e përqafojnë futbollin.
Kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi, në fjalën e rastit falënderoi FSHF-në për mbështetjen e dhënë për fëmijët tropojanë. Ish-mbrojtësi i kombëtares, Skënder Gega, i emocionuar në qytetin e tij të lindjes theksoi: “Ka dashur zoti, që kjo periudhë kur këta fëmijë të mrekullueshëm po jetojnë, është shumë më e mirë sesa periudha jonë.
Tashmë mundësitë janë më të mëdha dhe kushtet janë më të mira. Shpresoj që e ardhmja e tyre të jetë më e suksesshme dhe më e sigurt”. Një falënderim të veçantë ai bëri edhe për Federatën Shqiptare të Futbollit e cila mbështet iniciativa të tilla. /abcnews.al