FSHF humbi 1 milionë euro në Euro 2016

schedule16:12 - 22 Prill, 2019

schedule 16:12 - 22 Prill, 2019

Federata Shqiptare e Futbollit humbi shansin për të fituar 1 milionë euro më shumë, në finalet e Kampionatit Evropian në Francë. Ishte trajneri De Biazi që vendosi veton ndaj kërkesës së sponsorëve

Suksesi ishte i plotë dhe fitimet të mëdha, por mund të ishin arritur edhe më shumë.

Federata Shqiptare e Futbollit kishte në dorë të arkëtonte një tjetër shumë të madhe parash në Euro 2016, të ofruara nga biznese të ndryshëm, nëse do të pranonte një ndryshim plani për qëndrimin në Francë.

Burime në Federatë bëjnë me dijë për Abc News-in se bëhet fjalë për 1 milionë euro, të cilat do të përfitoheshin nëse do të pranohej që baza e kombëtares të mos ishte në Peros Girek, por në kryeqytetin francez, Paris.

Shqipërisë iu ofrua një hotel dhe qendër stërvitore në zonën e Sent Denisit, ku sponsorët do të nxirrnin fitime të mëdha nga aktivitete me tifozët e shumtë shqiptarë në Paris.

Gjithsesi, trajneri Xhani De Biazi vendosi veton që kjo të mos realizohej.

Ai dëshironte që kombëtarja të përgatitej dhe të qëndronte në një zonë të qetë, siç ishte Peros Gireku, dhe jo në kryeqytet, ku mund të shpërqendrohej dhe të humbiste vëmendjen nga detyra e saj kryesore, paraqitja në fushën e lojës.

Kjo, sidomos sepse ishte hera e parë që Shqipëria kualifikohej për në fazën finale të një Evropiani.

Presidenti i Federatës, Duka, sipas burimeve në institucion, nuk u mendua gjatë, por pranoi vendimin e trajnerit, duke kuptuar arsyet e tij dhe duke mos dashur të krijonte konflikte.

Vetë Duka, dha këtë përgjigje, i pyetur nga Abc News.

Duka: “Ne nuk kemi shkuar në një nga resortet që kishte zgjedhur UEFA, por zgjodhëm vetë një resort athe sepse plotësonte disa kritere teknike që kërkonte trajneri dhe stafi i ekipit kombëtar. Në Francë kemi qenë vetëm më një objektiv për të pasur performancën maksimale dhe për t’i krijuar kushtet sa më të mira ekipit. Ishte një ëndërr e realizuar që nuk mund ta shpërdoronim”.

Vendimi i De Biazit doli i drejtë, pasi Kombëtarja luajti mjaft mirë në finalet e Euro 2016, duke arritur edhe fitoren e parë e duke shënuar golin parë historik./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!