Fshehja në dritën e diellit/ Pse bosët e kërkuar të mafias siciliane gjenden shpesh kaq afër shtëpisë?

schedule11:21 - 9 Mars, 2023

schedule 11:21 - 9 Mars, 2023

Përktheu Sonila Backa-abcnews.al

Matteo Messina Denaro, “Kumbari i fundit” do të dalë para një gjykate në L’Aquila, ku ai po apelon një dënim me burgim të përjetshëm për vrasjen e një prokurori kundër mafias në vitin 1992.

Arrestimi i tij, tridhjetë vite pas dënimit të tij, ka ngritur disa pikëpyetje.

Edhe pse ai ishte në listën e “më të kërkuarve” të Italisë prej dekadash, në fund të fundit policia nuk duhej të shkonte larg për ta gjetur atë.

Ai u kap në Sicilinë e tij të lindjes, u arrestua para një institucioni mjekësor, ku ai shkonte rregullisht pa përdorur ndonjë masë paraprake apo maskim të veçantë, përveç dokumenteve false.

Ai ishte i njohur në qytet. Në shtëpi, policia gjeti fatura të restoranteve. Dëshmitarët thonë se ai shkonte në supermarket. Ai ishte jashtë dhe rreth e qark, por nuk u ndalua dhe ishte në kërkim deri më 16 janar 2023, raporton abcnews.al.

Anna Sergi, profesoreshë e Kriminologjisë dhe Krimit të Organizuar në Universitetin e Essex-it, shpjegon se si ishte e mundur kjo.

“Paratë nuk mund të blejnë prestigjin”

“Para së gjithash”, thotë Sergi, “për disa breza mafiozësh, si Matteo Messina Denaro, njohjet shoqërore ka më shumë rëndësi se paratë.

Është një çështje krenarie. Nëse ikën dhe largohesh nga territori i lindjes, dhe reputacioni yt të lë. Është me të vërtetë dhe tërësisht pjesë e stilit të jetës mafioze.

Ikja në Brazil ose Karaibe nuk do të ishte e vërtetë për personazhet e tyre. Gjithashtu, krijimi i një rrjeti mbrojtës jashtë vendit është më i shtrenjtë dhe më i ndërlikuar. Sigurisht që ata gjithmonë mund të mbështeten në shuma të mëdha parash dhe mbështetje logjistike atje, por nuk është saktësisht e njëjta gjë”.

Një rreth vicioz pushteti dhe njohjeje shoqërore

“Kjo është arsyeja pse të gjitha sistemet kriminale të ngjashme me mafiozët duhet të krijojnë një lidhje me territorin e tyre. Ata e bëjnë këtë përmes zhvatjes dhe frikës. Ata punojnë gjithë jetën e tyre për këtë, dhe duke e bërë këtë, ata ndërthurin identitetin e tyre me territorin, raporton abcnews.al.

Njerëzit në shtëpi e dinë se kush janë, sepse mafia ka ndërtuar një atmosferë frikësimi dhe pëlqimi. Gjithashtu, duke hequr dorë nga territori, hiqet dorë edhe nga pushteti. Të mendojmë vetëm për trafikun e drogës”.

A i fshehin edhe organizatat e tjera kriminale liderët e tyre në shtëpi?

“Në disa raste, po. Më kujtohet rasti i një drejtuesi karteli meksikan, Nazario Moreno González, i cili mendohej i vdekur kur, në fakt, ishte gjallë dhe në shtëpi. Ai qëndroi atje sepse ndihej i mbrojtur.”

Si e shpjegoni faktin që ‘mbretërit e mëdhenj’ italianë mund të jenë të lirë për dekada përpara se të kapeshin?

“Italia, ose, më saktë, Siçilia, mban padyshim rekordin në këtë kuptim. Por kini parasysh se ndjekja e këtyre njerëzve është tepër sfiduese dhe e shtrenjtë për një shtet. Dhe Italia ka shpenzuar miliona e miliona euro për këtë. Diku tjetër, kriminelët mund të përballojnë presionin dhe të mos zhduken plotësisht…pasi ata e dinë se shteti do të dorëzohet në fund.

Disa prej tyre gjenden të vdekur edhe para se policia të arrijë tek ata. Pra, Italia shënon gjithashtu një rekord për sa i përket parave të shpenzuara në këtë drejtim.”

Mafiozët e mëdhenj duket se gëzojnë një nivel të caktuar mbrojtjeje.

Por si funksionon rrjeti në përgjithësi?

“Është diçka aktivizohet në nivele dhe shkallë të ndryshme. Së pari duhet të kenë dikë që e di gjithmonë se ku janë, dhe nëse janë gjallë: kjo është baza. Pastaj ka nivele më të larta mbrojtjeje. Për shembull për të parandaluar që forcat e rendit të arrijnë shumë afër tyre.

Kjo përfshin pagesa të përsëritura që duhet të dalin nga llogaritë bankare të çdo të dyshuari. Në rastin e Messina Denaro, ishte motra e tij që po ndihmonte në këtë drejtim. Në fakt, ajo u arrestua disa ditë më parë. Ajo mbante librat e llogarive të klanit mafioz”.

“Pastaj, është rutina e përditshme, e cila është veçanërisht e rëndësishme për shefat më të vjetër, pasi ata nuk janë më të vetë-mjaftueshëm, për shembull për t’u kujdesur për shtëpinë apo edhe ushqimin e tyre. Por ata duhet të sigurohen që të jenë gjithmonë të ushqyer dhe të hanë mirë, sepse sigurisht që duan të hanë mirë. Dhe duhet të sigurohen që të kenë një strehë të sigurt, një vend që kalon pa u vënë re dhe nuk mund të çojë forcat e rendit tek ata.”

“Edhe pagimi i faturave të gazit ose energjisë elektrike kërkon kujdes dhe procedura të veçanta. Nëse të gjitha këto gjëra bëhen në një vend që tashmë e njohin shumë mirë, është më e lehtë.”

A do ta zërë dikush vendin e Matteo Messina Denaro tani që ai është në burg?

“Me shumë mundësi, dhe nuk do të habitesha nëse forcat e rendit do ta kishin identifikuar tashmë atë person. Por, në përgjithësi, mafia italiane ishte në krizë edhe para arrestimit të Messina Denaro.”

“Ajo që mafia humbi me të vërtetë me arrestimin e Matteo Messina Denaro, është etiketa ‘mitologjike’ e organizatës. Ata ishin krenarë që kishin bosin e tyre në arrati për kaq shumë kohë.”

Kur thoni se mafia është në krizë, keni parasysh një krizë ushtarake, një krizë prestigji apo një krizë financiare?

“Të gjitha këto gjëra së bashku. Në vitet ’90, mafia siciliane u dëmtua rëndë jo vetëm nga shteti, por nga veprimet e vetë shefit të saj Totò Riina, vizioni i të cilit për mafian në fund nuk i dha dobi organizatës, raporton abcnews.al.

Në fillim të viteve ’90, Riina nisi një luftë të gjithanshme kundër shtetit, duke urdhëruar atentate me bombë në të gjithë Italinë, të cilat morën dhjetëra jetë. Ai po përpiqej të luftonte dhe të thyente goditjen e shtetit kundër organizatës, por rezultoi e kundërta. Më pas ai u arrestua në vitin 1993.

“Mafia siciliane ka humbur shumë pushtet kriminal. Në ditët e sotme nuk dominojnë më trafikun e drogës dhe duke e humbur atë humbën edhe shumë para.”

“Ata ende pastrojnë para në tregun e energjisë së erës, për shembull, ose në sektorin e mikpritjes, turizmit por ana ushtarake e mafies siciliane nuk është më mbizotëruese, sepse pothuajse çoi në vetëshkatërrimin e organizatës.

Po, familjet e vjetra ekzistojnë ende dhe kanë njëfarë fuqie në territor, por mbetet kryesisht një fuqi lokale.”

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!