Fshati minoritar me vila të reja, bosh, banorët: Të rinjtë nuk kthehen, këtu nuk ka shpresë

schedule16:07 - 17 Prill, 2021

schedule 16:07 - 17 Prill, 2021

Nga Silvi Sulaj

Panorama që të ofron lumi Bistricë dhe gjelbërimin rrugës për në fshatin Çaushaj të Finiqit të mrekullon. Lëmë pas këto bukuri natyrore dhe me të hyrë në fshat përfshihemi në problematikat e banorëve.

Syri të sheh përgjatë gjithë rrugës shtëpi bosh të ndërtuara me paratë e fituara në emigracion. Të cilat vështirë se do ti shijojnë, pasi s’mund të bëjnë hapa pas dhe të kthehen në fshatin që s’të ofron asgjë.

 

Kjo është një shtëpi e re. Kam folur me pronarin e saj. Djersën e emigrimit e derdhi këtu. Atje ku lindi atje do të vdesë, por ka hallin e djalit. Djali nuk ka të ardhme në Shqipëri”, ka thënë një banor.

Emili Kokoli është një nga banoret që janë kthyer nga emigracioni. Nëse vetë e mori këtë vendim dhe prej moshës, nuk do kurrsesi që niprit dhe mbesat e saj të kthehen në Shqipëri.

Nuk ka shpresë këtu në vendin tonë, nuk ka jetë. Nuk ka kushte në asnjë fshat jo vetëm këtu tek fshati ynë, po në asnjë fshat nuk ka kushte”, ka thënë një banore.

Nuk ndihen as të sigurt për jetë.

“Në janar u futën në një shtëpi, rrahën vajzën dhe të ëmën i morën paratë. I morën pensionin. Nuk kemi hall të vjedhjeve, kemi hall kokën!”, ka thënë një tjetër banor në këtë fshat.

Rreth 60 banorët që jetojnë në Çaushaj ankohen për rrugën e dëmtuar që i pengon për të shkuar në Finiq, por dhe për problemet me energjinë elektrike.

“Rruga është e pashtruar”.

“ Tani që janë votimet kanë ardhur, sollën pak zhavor edhe e hodhën vende vende, atje ku donte kryetari. Problem kemi dritat, në Sopot bie shi dhe këtu menjëherë ikin dritat”, ka thënë banorja.

“Mund të priten dritat mbi 20 herë në ditë. Jo në shira të fortë se ashtu e justifikojmë. Kemi rrjet të dobët që nga ‘67 nuk është vënë dorë në rrjet. Na janë prishur gjithë elektroshtëpiaket. Vemi në ustallarët ti rregullojmë na thonë e keni nga tensioni”.

Edhe pse kanë pritshmëri të ulëta nga politikanët, tani që ka nisur fusha shpresonin se do të shfaqej ndonjë kandidat që të qajnë hallet, por kjo deri tani nuk ka ndodhur.

“ Jemi bërë që edhe turpi turpërohet tani këtu”.

Disa banore të këtij fshati minoritar nuk të përgjigjen në gjuhën shqipe.

Në Çaush ka 150 shtëpi, në shumicën e tyre nuk banon njeri. Ndërsa numri banorëve ndër vite vetëm tkurret, për shkak se foshnja nuk lindin më dhe vdekjet janë në rritje./abcnews.al