Përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme ka detyruar disa kompani ajrore ndërkombëtare të anulojnë ose të pezullojnë përkohësisht fluturimet drejt dhe nga Izraeli, për shkak të shqetësimeve për sigurinë ajrore në rajon.
Etihad Airways, kompania ajrore nga Emiratet e Bashkuara Arabe, njoftoi se ka anuluar të gjitha fluturimet midis Abu Dhabit dhe Tel Avivit deri më 22 qershor. Në një deklaratë për media, kompania theksoi se “kjo mbetet një situatë në zhvillim e sipër dhe mund të priten disa ndërprerje dhe vonesa në ditët në vijim”.
Vendimi i Etihad vjen pas një vale anulimesh të ngjashme nga kompani të tjera:
El Al, kompania ajrore kombëtare izraelite, ka zhvendosur disa nga avionët e saj jashtë territorit të Izraelit, në përgjigje të një kërcënimi të mundshëm për sulme iraniane mbi aeroportin Ben Gurion.
Aegean Airlines, linja ajrore greke, ka pezulluar të gjitha fluturimet për në dhe nga Tel Avivi, pa dhënë një afat për rifillimin e tyre.
Emirates Airlines ka anuluar disa fluturime, duke përmendur si arsye “situatën aktuale” në rajon dhe rreziqet e sigurisë.
Në të njëjtën kohë, autoritetet ajrore të rajonit kanë ndërmarrë hapa për të lehtësuar trafikun ajror. Siria është bashkuar me Jordaninë dhe Libanin në rihapjen e hapësirës së saj ajrore, e cila kishte qenë më parë e mbyllur për shkak të rrezikut të përhapjes së konfliktit. / abcnews.al