Frontex: Ulet numri i migrantëve të parregullt që përdorin Ballkanin Perëndimor për të kaluar në BE

schedule17:14 - 16 Maj, 2024

schedule 17:14 - 16 Maj, 2024

“Rruga e Ballkanit Perëndimor” njohu rënien më të madhe të kalimeve të migrantëve të parregullt drejt Bashkimit Europian, me rreth 69%, për katër muajt e parë të këtij viti, krahasur me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas raportit të publikuar të mërkurën nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Kontrollin e Kufijve, Frontex, “Rruga e Ballkanit Perëndimor” njohu rreth 7 mijë kalime të parregullta që nga fillimi i janarit deri në fund të prillit të cilat shënojnë, agjencisë rënien më të madhe në mesin e rrugëve kryesore të migracionit në Bashkimin Europian.

Sipas Frontex-it edhe kalimet e parregullta kufitare në Bashkimin Evropian në të gjitha rrugëkalimet e tjera në katër muajt e parë të 2024 ranë me gati një të katërtën.

Sipas të dhënave të kësaj agjencie, migrantët e parregullt nga Siria, Turqia dhe Afganistani përbëjnë numrin më të madh të personave që janë evidentuar në rrugën e Ballkanit Perëndimor.

Sipas studiuesve të çështjeve të emigracionit edhe kur migrantët e parregullt kërkojnë azil nuk synojnë të qëndrojnë në vendet e Ballkanit, por e përdorin këtë praktikë për të fituar kohë dhe gjetur mundësi për të kaluar drejt vendeve europiane.

Pjesa dërrmuese e migrantëve të parregullt prej vështirësive të gjuhës, ekonomive të dobëta të vendeve të Ballkanit, nuk arrijnë të integrohen në tregun e punës.

Vetë vendet e Ballkanit janë prekur ndjeshëm nga emigrimi i banorëve të tyre dhe së fundi në shumë zona sidomos turistike janë rritur nevojat për fuqi punëtore.

Shumë sipërmarrje në Shqipëri kanë dështuar të tërheqin me kontrata fuqi punëtore nga Bangaldeshi, India, Pakistani apo vende të tjera, pasi shumë raste kanë dëshmuar se pas një kohe të shkurtër qëndrimi vetëm disa mujore punëtorët janë larguar.

Në prill të këtij viti Prokuroria e Posaçme dhe policia zbuluan në Shqipëri një skemë të kontrabandimit ndërkombëtar të punonjësve nga Bangladeshi.

Pas një hetimi 1-vjeçar u zbulua se përmes korruptimit të oficerëve të policisë, agjencive të ndërmjetësimit dhe kontratave fiktive të punësimit ishte realizuar mbërritja e punëtorëve krysisht nga Bangladeshi në Shqipëri dhe më pas kalimi drejt vendeve të Bashkimit Europian në këmbim të 5 mijë eurove për secilin punëtor.

Prokuroria e Posaçme Shqiptare (SPAK) tha se nga hetimet e zhvilluara në bashkëpunimin me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, caktoi masat e sigurimit për 26 persona, të dyshuar si të përfshirë në organizmine kontrabandimit nga të cilët 21 janë lënë në arrest me burg./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!