Gjykata Kushtetuese vendosi të delegojë përgjegjësi, duke mos dhënë vendim për një nga çështjet më të nxehta politike. Shqipëria priti më shumë se 3 vite për krijimin e institucionit që do të thoshte fjalën e fundit për kushtetueshmërinë e vendimeve që kanë nxitur debat të fortë publik, por në provën e parë të tregimit të forcës së tyre, trupa e Gjykatës Kushtetuese zgjodhi të mos marrë përgjegjësi.
Pasi dëgjoi për 9 orë palët për legjitimitetin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosën që t’i drejtohen Komisionit të Venecias për të marrë një mendim më të specializuar. Kuvendi i Shqipërisë, Presidenca, qeverisë, KQZ dhe Shoqata e Bashkive do të kenë mundësi t’i drejtohen Venecias mbi ligjërinë e veprimeve të kreut të Shtetit për dekretin e kreut të shtetit për të anuluar zgjedhjet dhe ligjshmërinë e zgjedhjeve, që u zhvilluan pa pjesëmarrjen e opozitës.
Vendimi për t’iu drejtuar Venecias, nga gjyqtarët Kushtetues për një çështje të tillë, tregon jo vetëm pamundësinë e kësaj gjykate për të marrë një vendim të tillë por edhe përsëritjen e një procedure që tashmë është konsumuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2019.
Për veprimet e Presidentit të Republikës, Ilir Meta mbi anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, Komisioni i Venecias u shpreh në tetor 2019, kur e cilësoi veprimin e kreut të shtetit në tejkalim të kompetencave të tij por jo akt për të cilin ai duhej shkarkuar.
Venecia në raportin e saj dy vite më parë, foli edhe për bojkotin e opozitës dhe zhvillimin e zgjedhjeve me prezencën e vetëm një force politike. Ndaj edhe të gjithë pritshmëritë për t’i dhënë fund debatit për zgjedhjet vendore të 30 qershorit ishin tek anëtarët e zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese, të cilët në vend të zgjidhjes përfundimtare të konfliktit politik vendosën ta shtyjnë në kohë atë. / Abcnews.al