Frika e falimenti prej kostove të pajisjeve, a do të kenë fatin si në Detroit inceneratorët e Shqipërisë?

schedule22:42 - 2 Prill, 2022

schedule 22:42 - 2 Prill, 2022

Nga emisioni Vetting: 

Operatorët e impianteve të djegies duhet të vazhdojnë të përmirësojnë pajisjet e kontrollit të ndotjes në mënyrë të vazhdueshme, që të jenë në përputhje me rregulloret e shkarkimeve atmosferike dhe ndotjes.

Raporti i bankës Botërore shpjegon se nga përvoja e vendeve të zhvilluara ka ndodhur thuajse në çdo rast që për shkak të nevojës për përmirësime të kushtueshme, këto sipërmarrje kanë falimentuar. Sipas këtij raporti, të paktën 31 inceneratorë të mbetjeve të ngurta u mbyllën në periudhën midis viteve 2000 dhe 2020, kryesisht për shkak të barrës financiare të shkaktuar nga kërkesat e nevojshme të kontrollit të ndotjes. Përvoja e Detroidit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është rasti që ilustron problematikën.

“Për tre dekada, qyteti i Detroitit në SHBA ka paguar mbi 1 miliard dollarë për të ndërtuar dhe operuar një incinerator. 478 milionë dollarë kushtoi ndërtimi i inceneratorit, dhe një shtesë prej 179 milionë dollarësh kërkohej për pajisjet e kontrollit të ndotjes. Në vijim të rezistencës së fortë të komunitetit dhe veprimeve ligjore kundër 600 shkeljeve të emetimeve të gazrave nga kompania, në periudhën 2014-2019, kompania mbylli papritur objektin në vitin 2019 ndërkohë që u identifikuan nevoja për përmirësime më të kushtueshme. Ndërkohë që funksiononte impianti i djegies së mbetjeve, qyteti humbi 2.6 milion USD shpenzime shëndetsore çdo vit”, theksohet në raportin e Bankës Botërore.

Sa e sigurt është që inceneratori i Elbasanit nuk do të ketë të njëjtin fat me atë të Detoridit?! Të pyetur për këtë çështje, drejtuesit e kompanisë nuk kanë dhënë një përgjigje, deri në momentin që po transmetohet ky dokumentar.

Inceneratori i Elbasanit ka nisur punë në vitin 2017 dhe ka funksionuar deri pak muaj më parë, kur dhe u sekuestrua nga SPAK. Gjatë asaj kohe, impiantet e përpunimit të mbetjeve kanë qenë në punë dhe kanë djegur mbetje.

Në muajt e parë pas nisjes së punës në inceneratorin e Elbasanit, kompania dhe drejtues të institucioneve shtetërore thanë se aparaturat e kontrollit funksionojnë dhe janë nën kontroll.

Në faqen zyrtare të Slbtec Energy, pasqyrohet sistemi I monitorimit ku theksohet ndër të tjera se impianti i trajtimit të mbetjeve, Elbasan është i pajisur me sistem të monitorimit të emetimeve pa ndërprerje në përputhje me direktivën 2000/76/EC të Bashkimit Europian.

Në pjesën e sipërme të oxhakut janë të instaluar sonda të cilat marrin vazhdimisht kampionet e gazeve të djegies duke ia përcjellur panelit i cili analizon në kohë reale parametrat e substancave ndotëse të gazeve të djegies përpara shkarkimit në atmosferë.

Paneli SIEMENS realizon analizën e gazeve të djegies në kohë reale duke përcaktuar vlerat si të elementëve ndotës po ashtu dhe të disa elementëve që kanë ndikim në procesin e djegies si: CO, NOX, SO2, O2, HCl, H2O si dhe grimcat e ngurta.

Paneli i analizës së gazeve të djegies përcjell vazhdimisht vlerat e sasive të elmenteve ndotëse tek PC e operatorit. Në këtë mënyrë vlerat e elementeve ndotëse që shkarkohen në atmosferë janë të monitoruara vazhdimisht në kohë reale.

Bazuar tel leja mjedisore, kompania është e detyruar të bëje publike raportet e monitorimit çdo tre muaj. Kompania kryen monitorimin bazuar në vetdeklarim, më pas një tjetër kompani që quhet palë e tretë kontrollon proceset e monitorimit të kryera nga kompania.

VETTING ka siguruar pjesë nga raporti i kryer nga laboratory GR Albania, i cili ka kryer kontrollin e monitorimit të impianit të Elbasanit në muajin nëntor 2021. Në raport sqarohet se kampionimi i mostres së ujit është realizuar me 05 Nëntor 2021 në stacionin “shkarkimet me ujërat sipërfaqësore” konform metodave standard të kampionimit të listuara më poshtë si;
“Uji është mbledhur në 3 shishe me një volum prej 1750 ml .Më pas mostrat janë ruajtur dhe transportuar në laborator në kushte frigoriferike (4 gradë C) dhe analizimi i tyre ka filluar brenda 24 orëve. Më poshtë paraqitet një foto gjatë procesit të kampionimit edhe vendodhja e tij në hartë .

Rezultati i këtij raporti testimi i referohen vetem kampionit të marrë nga stafi i laboratorit për këtë datë. Analiza është realizuar me nënkontrator. Metodat e testit analitik janë autorizuar nga klienti. Cdo reklamim i tij bëhet me shkrim në një periudhe jo më shumë se 5 ditë nga data e dorëzimit të këtij raporti testimi. LOQ-përqëndrimi më i ulët i analitit që mund të matet me saktësi të lartë edhe precizion. Kordinatat janë në sistemin WGS84.

Sipas laboratorit që ka kryer monitorimin, rezulton se tokcisiteti është i ulët. Monitorimi është kryer në nëntor 2021 dhe siç duket nga sqarimet në raport, monitorimi është kërkuar nga kompania Albtek dhe nuk bëhet fjalë për kontroll të institucioneve shtetërorë ndaj sistemit të monitorimit të inceneratorit.

Sasia e pamjaftueshme e mbetjeve për tre inceneratorë, mundësia për t’i plotësuar me import plehrash

Që një incinerator të jetë funksional, duhet të ketë sasinë e nevojshme për trajtimin e mbetjeve çdo ditë. Mungesa e sasisë së mbetjeve në rastin e Shqipërisë është një ndër problemet që mund të çojë në dështimin e projektit të inceneratorëve. Bazuar mbi statistikat e INSAT, Tri qarqet ku janë vendosur inceneratorët, Tiranë, Fier e Elbasan, nuk kanë sasinë e duhur të mbetjeve që inceneratorët të jenë funksional. Madje as sasia e mbetjeve të të gjithë Shqipërisë nuk i mjafton. Atëherë pse duheshin tre inceneratorë e për më tepër të tjerë në perspektivë siç është ai i Vlorës??

Raporti i bankës botërore evidenton se në një numër vendesh, duke përfshirë Suedinë, Danimarkën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Holandën, Korenë e Jugut dhe Kinën kontinentale, problematikë ishte edhe garantimi i sasisë së mbetjeve që kërkohet që një impiant të qëndroje i ndezur.

Duke iu referuar sasisë së mbetjeve që prodhon vendi ynë në krahasim me vende si Gjermania, Danimarka e të tjera është shumë herë më e vogël. Atëherë si do të mbahen në punë inceneratorët në Shqipëri? Me sa duket në deklaratën e ish-ministrit të energjisë, Damian Gjiknuri, problematika është njohur nga autoritetet por edhe drejtuesit e kompanisë. Qysh në nisje të projektit të inceneratorit të Elbasanit.

Sipas statistikave të INSTAT Shqipëria gjeneron rreth 1 milionë ton mbetje në vit, prej të cilave rreth 58% janë mbetje të biodegradueshme dhe rreth 25% janë mbetje të riciklueshme, letër, plastikë etj. Rreth 17% janë mbetje të tjera. Nga e gjithë kjo masë mbetjesh eksperti Edlir Vokopola sqaron se sasia e mbetjeve me potencial për tu djegur është rreth 25% që do të thotë rreth 275 mijë ton në vit. Pra sasia e mbetjeve që shkojnë për tu djegur në Shqipëri është mjaft e kufizuar dhe nuk e justifikon ngritjen e tre inceneratorëve.

Në vendet ku janë aplikuar, inceneratorët janë parë si një zgjidhje në funksion të prodhimit të energjisë. Shqipëria nuk është vendi ku prodhimi i energjisë përmes impianteve të trajtimit të mbetjeve, të jetë strategji për sigurimin e energjisë elektrike. Kjo për shkak se Shqipëria ka burime të mjaftueshme alternativë të energjisë elektrike me kosto mjaft më të ulët.

Janë një sërë pikëpyetjesh mbi këtë investim të qeverisë shqiptare për menaxhimin e mbetjeve. Sipas përvojës që vjen nga studimi i Bankës Botërore, duke i shtuar edhe situatën e krijuar për shkak të sekuestrimit të inceneratorëve, nuk përjashtohet skenari i falimentit të këtij projekti, pra të tre inceneratorëve. Rrezikohet që investimet miliona euro nga buxheti I taksapaguesve shqiptare të katandiset në rrënoja godinash të cilat sot quhen inceneratorë.

Klodian Zotos Stela Gugalles, klodian Mërtiri e gjithë bashkëpunëtorët e tyre në kompani a në administratë qofshin, kanë marrë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë  jo pak por 100 milion euro deri tani. Ne nuk e dimë se sa do të arrijë shuma në favor të tyre pasi ata po vazhdojnë të paguhen nga buxheti i shtetit edhe pse janë shpallur në kërkim ndërkombëtar. Por nëse ndodh që investimi me inceneratorët të këtë fatin e shumë projekteve të ngjashme të trajtuara më lart, mund të ndodhë që i gjithë investimi për inceneratorët konsiderohet dëm ekonomik.

Koncesioni i tre inceneratorëve Elbasan, Fier dhe Tiranë është tashmë nën hetim. SPAK ka sekuestruar tre inceneratorët ndërkohë që janë arrestuar disa ish-zyrtarë të lartë dhe drejtues të kompanive konçesionare për inceneratorët. në dhjetor 2021, u arrestua ish-ministri i mjedisit Lefter koka dhe u shpallën në kërkim pronarët e kompanisë Klodian Zoto dhe Stela Gugallja. Këtë javë me 28 mars 2022, SPAK shpalli fletë arrestin edhe për ish-sekretarin e përgjithshëm të ministrisë së mjedisit, deputetin e Partisë Socialiste Alqi Bllako. Bashkë me ta u arrestuan edhe disa anëtarë të komisionit të prokurimit dhe menaxher të kompanive koncesionare. Hetimet vazhdojnë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!