Mediat franceze raportojnë se nga 850 milionë euro të premtuara për rindërtimin e Katedrales së Notre Dam aktualisht janë derdhur vetëm 80 milionë. Por sipërmarrësit e mëdhenj deklarojnë se duan fillimisht të sigurohen se paratë e tyre nuk do i shkojnë shtetit.
Dy muaj pas zjarrit që në 15 prill shkatërroi Notre Dame, do të mbahet për herë të parë mesha në katedralen pariziene. Liturgjia do të jetë vetëm për pak persona, të cilët do të jenë të pajisur me mjete mbrojtjeje pasi struktura është ende e rrezikshme. Punimet vijojnë shumë ngadalë, edhe sepse pavarësisht deklaratave të ditëve të para, nga 850 milionë eurot e premtuara, janë derdhur vetëm 9 për qind e shumës, pra 80 milionë euro.
Dhe pak nga këta para vijnë nga sipërmarrësit e mëdhenj të cilët ishin ndër të parët që premtuan ndihmë financiare ditët e para pas zjarrit.
Nga Fransua Pino, janë të shumtë dhuruesit që kishin premtuar fonde për rindërtimin. Por për momentin të vetmit që kanë bërë hapa përpara janë privatët.
Por zëdhënësit e sipërmarrësve të mëdhenj kanë reaguar pothuajse në kor duke thënë se paratë do të jepen vetëm pas përcaktimit të shoqërive që do të merren me rindërtimin e katedrales. Deklaratë që nuk ka ndaluar aspak kritikat sipas të cilave premtimet e tyre ishin vetëm një strategji marketing.
Sipas “France Info”, dhuruesit presin vetëm fillimin real të punimeve për t’u siguruar se paratë e tyre nuk do i shkojnë shtetit. Presidenti francez Makron ka premtuar se Brenda pesë vitesh rindërtimi i tij do të jetë i plotë por për momentin punimet vijojnë ngadalë. /ABC News Albania 24/7