Frenohet “Delta”, Alimehmeti: Popullsia e imunizuar 70%

schedule15:34 - 13 Shtator, 2021

schedule 15:34 - 13 Shtator, 2021

Nga Ajgena Korbi

Vala nga varianti “Delta” duket se ka frenuar.  Kurba e të infektuarve dy javët e fundit  paraqitet më e qëndrueshme.  Sipas epidemiologut Ilir Alimehmeti kjo dallgë pritet të nisë rënien.

Por, a e kemi kaluar pikun?  “Se themi fiks se nuk bëjmë aq teste sa do na nevojiteshin. Por kemi parë frenim, kjo javë me javën e kaluar, shohim diferencë inekzistente presim të përkthehet në ulje,” thotë ai.

Ndërkohë që në Shqipëri nga 6 shtatori hynë në fuqi  të tjera masa shtrënguese, Danimarka dhe Britania e Madhe i hoqi kufizimet. Epidemiologu Ilir Alimehmeti  e argumenton këtë me arritjen e imunitetit  në popullatë.  Ndërsa thotë se dhe në vendin tonë ka ardhur koha  për lehtësim të masave.

“Në momentin qe mbërrin mbi 70 % të imunitetit të njerëzve nga ai moment nis e hiqen Shqipëria ka shumë mundësi të jetë në këto shifra imunitet natyror kryesisht, por dhe vaksina,” thekson Alimehmeti.

Aktualisht mjeku thotë se “Delta” po gjen terren mes atyre që nuk janë vaksinuar dhe nuk  kanë kaluar sëmundjen.  Por si parashikohet të jetë vjeshta? Asgjë sipas epidemiologu Alimehmeti nuk mund të  thuhet me siguri pasi kjo do të varet nga mutacionet që mund të pësojë virusi. /abcnews.al