Franko Lerda: Partizani ka ende shanse për t’u kualifikuar

schedule21:55 - 25 Korrik, 2019

schedule 21:55 - 25 Korrik, 2019

Trajneri i Partizanit, Franko Lerda tha pas ndeshjes se beson tek përmbysja. Në kampin tjetër, tekniku Zekiç theksoi se asgjë nuk ka përfunduar.

Trajneri i Partizanit, Franko Lerda tha pas humbjes me Sherif Tiraspol se skuadra i ka të gjitha shanset për tu kualifikuar në ndeshjen e kthimit. Sipas teknikut Italian për të arritur përmbysjen lojtarët duhet të tregohen të saktë në rastet që do të krijojnë.

“E humbëm takimin pasi nuk shfrytëzuam rastet e krijuara. Ata u treguan më të saktë. E nisëm mirë takimin. Terreni nuk na ndihmoi të bënim lojën tonë. Ndaj Karabagut ne luajtëm lojën tonë ndërkohë që kundër Sherif planet tona u prishën pas pësimit të golit. Repartet nuk u lidhën mirë gjatë gjithë takimit. Skuadra nuk u paraqit në nivelin që unë e dua. Nuk jam i shqetësuar që skuadra nuk po shënon pasi ky është futbolli. Goli do të vijë herët a vonë. Unë besoj tek përmbysja pasi kjo skuadër ka vlera dhe në Moldavi mund të shkruajmë historinë. Duhet të minimizojmë gabimet dhe të shënojmë gol në rastet që do të krijojmë”.

Në kampin tjetër, tekniku i skuadrës së Sherif Tiraspol, Zoran Zekiç vuri në dukje kushtet aspak të përshtatshme për tu zhvilluar futboll dhe thekson se asgjë nuk ka përfunduar pasi Partizani ka ende shanse për kualifikim.

“Ishte një kohë e papërshtatshme për të luajtur futboll. Mendoj se skuadra ime luajti më mirë. Shënuam vetëm një gol por kishim shumë shanse të cilat nuk u konkretizuam. Do të luajmë dhe ndeshjen e kthimit dhe shpresoj të kualifikohemi. Tashmë e kemi të qartë se si luan Partizani. Ata mund të ndryshojnë diçka por ne jemi të përgatitur për çdo gjë. Trajneri i Partizanit luan mirë taktikisht në të gjitha repartet por sot ne kontrolluam ndeshjen”.

Takimi i kthimit mes Partizanit dhe Sherif Tiraspol do të zhvillohet të enjten e ardhshme në Moldavi. Partizani ka shumë pak shanse për tu kualifikuar pas rezultatit zhgënjyes në ndeshjen e parë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!