Françesko Tahiraj i jep fitoren ekipit të tij dhe shkëlqen në Slloveni

schedule23:12 - 10 Dhjetor, 2018

schedule 23:12 - 10 Dhjetor, 2018

Françesko Tahiraj ishte futbollisti më i dalluar shqiptar në Europë këtë fundjavë. Mesfushori vlonjat shënoi dy gola në Slloveni, duke qenë një nga më të mirët e kampionatit.

Futbolli shqiptar mund ta quajë Françesko Tahirajn si lojtarin e momentit, pasi vlonjati shënoi dy gola në Ligën e Parë të Sllovenisë. Njëzetedyvjeçari ndihmoi ekipin e tij, Aluminij, që të fitonte 4-1 ndaj Celjes dhe të ngjitej në vendin e tretë në renditje. Fillimisht, Tahiraj barazoi rezultatin në 1-1 në minutën e 15-të, pasi miqtë kishin realizuar të parët.

Mesfushori realizoi më pas golin e katërt për ekipin nga Kidriçeva. Tahiraj ka 9 gola deri tani në 15 javë kampionat, duke qenë vetëm 1 rrjetë prapa më të mirëve, si dhe shënuesi më i mirë i Aluminijt. Gjithsesi, ai mund të quhet golshënuesi më i mirë i Ligës së Parë, nëse heq ekzekutimet e 11-metërshave. Tahiraj lindi në Vlorë në 1996, ndërsa kaloi 8 vjet në akademinë e Juventusit në Itali, luajti për Karpin dhe Torinon, për të kaluar më pas në futbollin slloven. Ai ka luajtur tri ndeshje për Shqipërinë U17 e U19, ndërsa besohet se mund të marrë një ftesë nga trajneri Panuçi për në kombëtaren e të rriturve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!