Francë, rritet numri i të pastrehëve

schedule17:00 - 29 Gusht, 2024

schedule 17:00 - 29 Gusht, 2024

Derisa problemi i strehimit, i cili sërish u aktualizua me të pastrehët e dëbuar nga kryeqyteti gjatë Lojërave Olimpike “Paris 2024” të mbajtura muajin e kaluar në Francë është thelluar, numri i fëmijëve që jetojnë në rrugë është rritur me 120 për qind në katër vitet e fundit.

Të dhënat e publikuara nga Federata e Aktorëve të Solidaritetit (FAS), e cila mbron të drejtat e të huajve në vend dhe e cila ka rreth 1.000 shoqata anëtare si dhe Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) Francë, kanë treguar se numri i fëmijëve të pastrehë në vend ka tejkaluar 2.000.

UNICEF France njoftoi se numri i fëmijëve të pastrehë ka tejkaluar për herë të parë kufirin prej 2.000 dhe se kjo është një rritje “alarmante”. Numri i fëmijëve të pastrehë i cili ishte 927 në vitin 2020, u rrit me 120 për qind në katër vjet. Këtë vit 467 nga më shumë se 2.000 fëmijët nëpër rrugë e përbën grup-mosha nën 3-vjeç.

Presidenti i FAS, Pascal Brice tha se qeveria në vitin 2022 ka premtuar se do të angazhohet për të rregulluar këtë situatë, por ende nuk është gjetur një zgjidhje.

Presidentja e UNICEF-it në Francë, Adeline Hazan tha se “Rritja e numrit të fëmijëve të pastrehë që nuk di të ndalet është një tragjedi. Barometri ynë tregon se për herë të gjashtë Franca po shkel parimet e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve që ka miratuar dhe se situata po përkeqësohet vazhdimisht”.

UNICEF France dhe FAS deklaruan se “fëmijët duhet të jenë ndër prioritetet e qeverisë së re që do të formohet në Francë” dhe kërkuan që “numri i strehimoreve të premtuara që nga janari 2024 të rritet menjëherë”.

Përpara Lojërave Olimpike “Paris 2024” midis 26 korrikut dhe 11 gushtit, të pastrehët në kryeqytet dhe rrethinat e tij u shtynë në pjesë të ndryshme të vendit pa një strehë të përhershme. Kjo situatë e cila preku mijëra të pastrehë, u kritikua nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe shoqatat e emigrantëve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!