Francë: Një ish-zyrtar i lartë i Ruandës dënohet me 20 vite burg për gjenocid

schedule22:51 - 12 Korrik, 2022

schedule 22:51 - 12 Korrik, 2022

Një gjykatë në Francë të martën ka dënuar një ish-zyrtar të Ruandës me 20 vjet burgim, pasi e gjeti atë fajtor për gjenocid.

Laurent Bucyibaruta është zyrtari më i lartë i Ruandës që është përballur me gjykim në Francë për masakrën e vitit 1994, në të cilën vlerësohet se janë vrarë 800,000 tutsi dhe hutu breda 100 ditësh.

Rasti ndaj këtij 78-vjeçari u përqendrua në disa takime “të sigurisë” që ai ose kishte urdhëruar ose kishte marrë pjesë. Prokurorët argumentuan se këto takime ishin thirrur për të planifikuar fushatën e vrasjeve.

Specifikisht, ish-kryetari i provincës Gikongoro është akuzuar se ka joshur mijëra persona që të strehohen në një shkollë në këtë rajon, duke iu premtuar ujë, ushqim dhe mbrojtje.

Disa ditë më vonë, në orët e para të 21 prillit, dhjetëra-mijëra tutsi u ekzekutuan, ngjarje që përbën një prej episodeve më të përgjakshme të gjenocidit.

Gjykata po ashtu tha se ka hetuar për përgjegjësinë e Bucyibarutas për masakrën në një shkollë tjetër, ku afër 99 tutsi u ekzekutuan më 7 maj 1994, por po ashtu ai është hetuar edhe për vrasjen e të burgosurve tutsi në burgun në Gikongoro, përfshirë edhe ekzekutimin e tre priftërinjve.

Gjatë gjykimit, Bucyibaruta ka mohuar çdo përfshirje në vrasje.

Në këtë gjykim janë marrë parasysh dëshmitë e 100 dëshmitarëve, përfshirë edhe të të mbijetuarve nga Ruanda, të cilët kanë dëshmuar qoftë në gjykatë, apo përmes video-lidhjes.

Bucyibaruta, i cili jeton në Francë që nga viti 1997, ka probleme shëndetësore dhe është lejuar që të qëndrojë në arrest shtëpiak gjatë gjykimit.

Franca është përballur me presion nga aktivistët që të ndjekë penalisht të dyshuarit e gjenocidit në Ruandë, të cilët janë strehuar në Francë pas ngjarjeve në shtetin e tyre.

Qeveria franceze në kohën kur ka ndodhur gjenocidi ka qenë mbështetëse e regjimit hutu, që atëbotë ishte në pushtet./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!