Java e tretë e protestave kundër çmimeve të karburantit në Francë la rreth 110 të plagosur dhe 270 të arrestuar. Duke iu drejtuar presidentit, protestuesit ngritën parullën: “Makron, mos na trajto si budallenj”.
Parisi përjetoi të shtunën fundjavën e tretë të protestave kundër rritjes së çmimit të karburanteve. Manifestuesit u grumbulluan përreth Harkut të Triumfit, në qendër të kryeqytetit, dhe u përleshën me policinë. Agjentët përdorën gaz lotësjellës, granata trullosëse dhe ujë për të ndarë turmën e mbledhur në shëtitoren Shomps Elize, ku protestues të maskuar gjuajtën me gurë ndaj tyre. Nga aktet e dhunës mbetën të plagosur rreth 110 persona, 17 prej të cilëve pjesëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa në përfundim rreth 270 vetë u arrestuan. Pas 15 orë protesta, autoritetet franceze kanë numëruar 75 mijë demonstrues në qytetet Paris, Zhirond, Tuluz, Montpelie, Lile dhe Marsejë. Ajo që nisi si protestë e shoqatës “Jelekët e Verdhë” kundër taksës së presidentit Makron për karburantet u kthye shumë shpejt në një manifestim mbarëpopullor. Presidenti thotë se politikat e tij janë të nevojshme për të luftuar ndryshimet e klimës. Më herët gjatë javës ai u përpoq të përcillte tone pajtimi me manifestuesit, duke u shprehur i hapur për ide mbi aplikimin e taksës. Por deklarata e tij nuk i ka bindur njerëzit, të cilët insistojnë se kreu i shtetit ka humbur kontaktin me realitetin. Manifestimet e 1 dhjetorit nisën më parë në qytetet e tjera të Francës dhe më pas në Paris, ku policia kishte bllokuar shëtitoren e frekuentuar nga turistët dhe kontrollonte njerëzit që hynin në të. Por shumë shpejt rreth 5 mijë e 500 persona mbushën zonën dhe thyen vitrinat e dyqaneve, kafeneve dhe bankave, ndërsa u vunë flakën shumë makinave. Ndaj disa oficerëve, të veshur me uniforma mbrojtëse dhe helmeta, u hodh bojë e verdhë në shenjë simbolike të shoqatës së “Jelekëve të Verdhë”. Ndërkohë, manifestuesit paqësorë, disa prej të cilëve mbanin maska në fytyrë, ngritën parullën “Makron, mos na trajto si budallenj”. /abcnews.la