Francë, fermerët sulmojnë zyrat politike të Macron

schedule19:15 - 8 Gusht, 2019

schedule 19:15 - 8 Gusht, 2019

Fermerët francezë kanë organizuar protestat e radhës, duke sulmuar zyrat politike të presidentit Emmanuel Macron. Ata kundërshtojnë marrëveshjet e fundit tregtare të BE-së, me argumentin se favorizojnë importet nga jashtë Evropës.

Fermerët francezë, të irrituar nga marrëveshjet tregtare mes BE-së dhe Kanadasë kanë protestuar duke dëmtuar zyrat e ligjvënësve të partisë së presidentit Emmanuel Macron.

Në orët e para të së enjtes, ata vunë në shënjestër zyrat e politikanëve në tre lokalitete në perëndim të Francës. Një shoqatë lokale fermerësh mori përsipër sulmin, që u pasua me bllokimin e aksesit të politikanëve në zyrat e tyre me mure të improvizuara, ku u shkruan parulla kundër marrëveshjes me Kanadanë, e njohur si CETA. Protestat anti-qeveritare nisën pasi parlamenti francez miratoi marrëveshjen në fjalë muajin e kaluar.

Kundërshtarët e saj deklarojnë se ajo do të minojë rregullat sociale të BE-së, duke lejuar importin e produkteve të prodhuara në kushte të palejueshme në Europë. Krahas CETA-s, fermerët francezë janë gjithashtu të pakënaqur për shkak të rrezikut që u kanoset mjeteve të tyre të jetesës për shkak të një tjetër marrëveshjeje të nënshkruar në qershor mes BE-së dhe vendeve të Amerikës së Jugut, që favorizon eksportet e vendeve si Argjentina dhe Brazili.

Fermerët francezë e kanë traditë mbajtjen e protestave. Ato aktuale vijnë paralelisht me protestat anti-qeveritare të “Jelekëve të Verdhë”, që nisën muaj më parë me kundërshtimin e rritjes së taksës mbi karburantet nga ana e qeverisë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!