Autoritetet franceze kanë shpëtuar më shumë se 6 mijë emigrantë që tentonin të mbërrinin në Britaninë e Madhe me varka të vogla gjatë vitit 2025, ndërsa 25 persona humbën jetën dhe dy të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, sipas raportit vjetor të publikuar të premten nga prefektura detare franceze.
Franca ka qenë prej vitesh një pikënisje kryesore për emigrantët që synojnë të kalojnë Kanalin e La Manshit për të nisur një jetë më të mirë në Britani, ku qeveria laburiste e qendrës së majtë po përballet me presion të fortë nga e djathta ekstreme anti-emigracion për të frenuar mbërritjet.
Pavarësisht rreziqeve të mëdha, përpjekjet për të bërë këtë udhëtim të rrezikshëm me mjete të pasigurta “nuk janë ngadalësuar”, thuhet në raportin e prefekturës detare për Kanalin dhe Detin e Veriut (PREMAR).
Sipas të dhënave, rreth 50 mijë persona në 795 varka kanë tentuar të kalojnë nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit 2025. Autoritetet franceze kanë shpëtuar 6 mijë e 177 persona, ndërsa 25 të tjerë kanë humbur jetën. Një përllogaritje e AFP-së, bazuar në burime zyrtare franceze dhe britanike, e çon numrin total të viktimave në të paktën 29.
Në raport paralajmërohet se trafikantët e qenieve njerëzore po i ekspozojnë emigrantët ndaj rreziqeve gjithnjë e më të mëdha. Numri i personave për çdo varkë ka vijuar të rritet, nga një mesatare prej 26 personash në vitin 2021 në 63 persona në vitin 2025, ndërsa dhjetë varka gjatë këtij viti kanë transportuar mbi 100 persona secila.
Autoritetet kanë konstatuar gjithashtu përdorimin e vazhdueshëm të të ashtuquajturave “varka-taksi”, të cilat nisen fshehurazi nga bregu pothuajse bosh dhe më pas marrin dhjetëra emigrantë që futen në ujëra të cekëta për t’u ngjitur në bord.
Nga ana tjetër, autoritetet britanike kanë regjistruar 41 mijë e 472 mbërritje me varka të vogla gjatë vitit 2025, shifra e dytë më e lartë ndonjëherë pas rekordit prej 45 mijë e 774 mbërritjesh në vitin 2022.


