Në lidhje direkte nga Franca për “ABC e Mëngjesit”, pianistja shqiptare Manjola Camuset Trebicka ndau emocionet e dekorimit me titullin e lartë “Kalorëse e Meritës” në Francë. Ajo u nderua me urdhrin prestigjioz Palmes Academiques, krijuar nga Napoléon Bonaparte në vitin 1808, një vlerësim që i jepet elitës së arsimit dhe kulturës franceze. Dekorata iu dorëzua nga kancelari i madh i Legjionit të Nderit, gjenerali François Lecointre, në prani të ambasadorit shqiptar në Francë Dritan Tola dhe kancelarit të Urdhrave të Shqipërisë, Tomi Frashëri.
Mes emocionesh të forta, ajo rrëfeu se lotët nuk e lejuan të lexonte email-in që njoftonte vlerësimin, pasi nuk e kishte imagjinuar kurrë një nder të tillë. Trebicka thekson se arti është i shenjtë dhe se publiku është gjykatësi më i drejtë i artistit. Prej vitit 1997 ajo jep mësim në Paris në Kolegjin e Legjionit të Nderit, ndërsa paralelisht zhvillon koncerte dhe merr pjesë në festivale të rëndësishme të muzikës klasike. Largimi i saj në Francë u bë i mundur falë konkursit “Marguerite Long”, ndërsa rrugëtimi ka qenë i mbushur me sakrifica dhe punë të palodhur.
Ajo e konsideron këtë dekoratë si pasqyrë të gjithë formimit të saj në Tiranë dhe si shpërblim për përkushtimin ndaj transmetimit të vlerave të artit dhe kulturës. Në çdo sukses, pianistja mban në zemër figurën e të atit, aktorit Roland Trebicka, të cilin e kujton si njeriun më të dashur e të përkujdesur, që nuk dinte të ishte autoritar, por ishte mik i lojërave dhe humorit pa fund.


