Franca tha të enjten se ishte shumë herët që Bashkimi Evropian të konsideronte heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë pas shkarkimit të presidentit Bashar al-Assad dhe së pari do të fokusohej në përcaktimin e pozicionit të saj për tranzicionin e Sirisë.
Shumica e qeverive të BE-së e mirëpritën rënien e Asadit, por po shqyrtojnë nëse mund të punojnë me rebelët që e rrëzuan atë, duke përfshirë Hayat Tahrir al-Sham (HTS), një grup islamik që është cilësuar një organizatë terroriste nga BE.
Ministrat e jashtëm të BE-së do të takohen në Bruksel javën e ardhshme.
I pyetur nëse Parisi mund të shtyjë për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë, veçanërisht në sektorin e energjisë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Christophe Lemoine u tha gazetarëve: “Ne po e marrim këtë në një mënyrë të rregullt, hap pas hapi”.
“Ne e dimë se regjimi i sanksioneve ndaj Sirisë është shumë i ashpër, por tani për tani diskutimet në Bruksel do të jenë veçanërisht mbi pozicionin e evropianëve për tranzicionin politik. Çështja e sanksioneve mund të vijë pas kësaj,” tha ai.