Ende është e paqartë nëse blloku rajonal në Afrikë do të konkretizojë kërcënimin për përdorimin e forcës ndaj Nigerit, me qëllim që të riinstalojë presidentin Mohamed Bazoum, apo do të arrihet zgjidhje përmes diplomacisë urgjente.
Junta e Nigerit e rrëzoi nga pushteti Bazoumin pothuajse dy javë më parë.
Blloku rajonal i Afrikës Perëndimore, ECOWAS, i dha afat deri të dielën ushtrisë së Nigerit që të lëshojë dhe riinstalojë Bazoumin ose në të kundërtën kërcënoi me përdorimin e forcës.
Anëtarët e ECOWAS-it, Kombet e Bashkuara dhe Unioni Afrikan pritet që të mbajnë bisedime më 8 gusht në kryeqytetin e Nigerit, Niamey, tha një zyrtar i huaj për Associated Press. Ky zyrtar foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar që të fliste për media.
Të hënën, ushtruesja e detyrës së nënsekretares amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, u takua me liderët e puçit në Niger dhe tha se ata kanë refuzuar që ta lejojnë të takohej me Bazoumin. Nuland tha se presidenti i rrëzuar gjendet “në arrest shtëpiak virtual”. Ajo tha se puçistët nuk kanë pranuar kërkesën e saj për nisjen e negociatave dhe për rikthimin e sundimit kushtetues.
“Këto bisedime ishin shumë të sinqerta dhe të vështira, por ne po kërkojmë zgjidhje përmes negociatave. Nuk është e lehtë të arrihet kjo. Ata janë shumë të vendosur në qëndrimin se si duan të vazhdojnë”, tha Nuland për gazetarët në Niamej.
Bisedimet pritet të mbahen gjatë gjithë javës. ECOWAS pritet të takohet sërish të enjten në Abuxha, kryeqytetin e Nigerisë fqinje, për të diskutuar për gjetjen e një zgjidhjeje.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të hënën për Radio France International, se diplomacia është rruga e preferuar, por shtoi se nuk mund të spekulojë për të ardhmen e 1.100 trupave amerikane që gjenden në Niger.
“Ajo çfarë po shohim në Niger është jashtëzakonisht shqetësuese dhe nuk i ofron asgjë shtetit dhe popullit të tij. Përkundrazi, shkëputja nga rendi kushtetues na vendos ne dhe shumë shtete të tjera, në një pozicion që ne do të detyrohemi të ndalim ndihmën, mbështetjen dhe kjo nuk është në të mirë të popullit të Nigerit”, tha Blinken.
Ndërkaq, një ditë më pas, Blinken i tha BBC-së se grupi mercenar rus, Wagner po “përfiton” nga paqëndrueshmëria në Niger. Ky grup mercenarësh dihet se ka prani në Malin fqinj.
Nigeri ka qenë një partner krucial i SHBA-së dhe i shteteve evropiane dhe ky shtet është parë si një prej vendeve të pakta demokratike në mbarë rajonin e Sahelit, në jug të shkretëtirës së Saharasë. Ky shtet ka qenë partner edhe në luftën kundër dhunës në rritje të xhihadit, të lidhur me grupin militant Shteti Islamik dhe Al-Kaida.
Ky rajon është përballur me puçe ushtarake në vitet e fundit. Mali dhe Burkina Faso, që nga viti 2020 udhëhiqen nga ushtritë dhe ECOWAS ka pak ndikim për të ndalur puçet ushtarake.
Megjithatë, ky grup ka reaguar ashpër ndaj grushtshtetit në Niger, duke vendosur sanksione ekonomike dhe kufizime të udhëtimeve. Po ashtu, ka thënë se përdorimi i forcës është opsion. Por, junta e Nigerit nuk ka shfaqur vullnet për dialog. Të dielën, puçistët mbyllën hapësirën ajrore të Nigerit dhe akuzuan fuqitë e huaja se po përgatiten të sulmojnë.
Analistët dhe diplomatët kanë thënë se dritarja për një ndërhyrje ushtarake po mbyllet dhe pa mbështetjen rajonale për përdorimin e forcës, ECOWA dhe të tjerët po kërkojnë mënyra të tjera për të arritur një zgjidhje.
Junta, e udhëhequr nga gjenerali Abdourahamane Tchiani, ka shfrytëzuar pakënaqësitë e popullatës ndaj ish-sundueses koloniale, Francës, dhe ka kërkuar nga Wagner-i që t’i ndihmojë puçistët.
Wagner veçse operon në disa shtete afrikane, përfshirë në Mali, shtet që është akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut./REL