FOTOT/ Magjia e dëborës në parkun natyror Korab-Koritnik

schedule07:59 - 27 Janar, 2022

schedule 07:59 - 27 Janar, 2022

Parku natyror Korab-Koritnik është një destinacion turistik jo vetëm për vizitorët vendas, por dhe për turistët e huaj, sidomos në stinën e dimrit kur dëbora është e gjithëpushtetshme dhe sjell peizazhe fantastike.

ADZM-ja e Kukësit solli pamje nga ky park me imazhe fantastike nën pushtetin e dëborës.

Pamje janë nga zona e Shishtavecit, liqeni i Kallabakut që nën bardhësinë e dëborës dhe gjurmët e faunës së egër është kthyer në një vend piktoresk që ia vlen të vizitohet.

Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij vargmali ka edhe kreshta të tjera, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.

Burimet e ftohta të ujit, natyra me diversitete të bimësisë nga ato mjekësore, deri dhe piktoreske, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor në Kukës.

Parku Natyror Korab-Koritnik është zona e mbrojtur më e madhe në Shqipëri deri në vitin 2017 dhe quhet si “çatia” e Shqipërisë. Peizazhi alpin me vargmalet Koritnik – Gjallicë – Korab – Deshat e bëjnë këtë një zonë të larmishme ku majat ngjiten e ulen deri në lugina dhe pllaja pafund.

Parku Natyror Korab-Koritnik përfshin shumë habitate natyrore të jashtëzakonshme me pishë, ah dhe me bredh të bardhë, bimësi të dendur, florë dhe faunë të jashtëzakonshme, por kësaj radhe është bërë kopshti i fëmijëve për të mësuar më shumë për natyrën. /ATA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!