Ai erdhi në Shqipëri për një kontratë pune, por gjeti një dashuri që nuk e la më të ikte. Gent Fetahaj, fotografi nga Kosova, ishte i ftuar në studion e ABC e Mëngjesit, ku rrëfeu historinë pas fotove dhe videove virale që po promovojnë bukuritë natyrore shqiptare në rrjetet sociale. Prej 6 vitesh në Shqipëri, Genti ka shndërruar aparatin fotografik në mision.
“Erdha për të punuar me anë të një fondacioni gjerman. Kam studiuar për Politika Publike dhe Menaxhim, por sot punoj për zhvillimin rural dhe turizmin”, tregon ai.
Puna e tij nuk është zyrë. Gjysma e ditës është në terren, mes maleve, fshatrave dhe rrugëve të vogla ku natyra ende flet shqip. Dashuria për natyrën shqiptare e çoi drejt Nepravishtës, fshatit që e bëri viral.
“Kam qenë rreth 15 herë dhe çdo herë jam befasuar nga kjo zonë”, rrëfen Genti.
Vizita e parë ishte për një aktivitet, por videoja që xhiroi dhe postoi në rrjete sociale mori vëmendje të jashtëzakonshme. “Njerëzit aty janë shumë të dashur, kanë ruajtur natyrën dhe traditën”, shton ai, duke e quajtur zonën një thesar ende të pazbuluar. “Udhëtoj shumë dhe çdo udhëtim e shijoj duke marrë me vete kamerën time”, thotë fotografi.
Momentet e kapura i rikthehen si kujtime të gjalla kur kthehet në Tiranë dhe rishikon fotot.
Por jo çdo shkrepje ka të bëjë me peizazhe. Një nga momentet më emocionale të karrierës së tij ishte ripropozimi i babait ndaj nënës, pas 35 vitesh martesë.
“Po ktheheshim nga një udhëtim në Shirokë dhe ndaluam në Zogaj për pushim. Ishte gjithçka spontane. Nuk e prisja që babai t’i ulej mamasë në gjunjë”, kujton Genti.
Pa hezitim, aparati doli nga çanta për të fiksuar çastin e paharrueshëm. Prindërit e tij janë njohur që në shkollë të mesme, janë inxhinierë të dy, bashkë në profesion dhe bashkë në jetë.
“Kanë bërë një dasmë, do t’ua mundësojmë edhe fëmijët një tjetër”, thotë Genti me humor dhe emocion.


